TAKIMET E SHENJTËRESHËS NENE TEREZËS ME SHQIPTARËT NË NEW YORK

“MATER TERESA, NA DO TË LUTEMI PER LULËZIMIN E VEPRËS S’ATE. TË LUTEM LUTU EDHE TI PER POPULLIN SHQIPTAR, PSE KA NEVOJË”- MONS.DR.ZEF OROSHI

 

Leonora Laçi

Leonora Laçi

Data 4 shtator shënon shpalljen Shenjt nga Papa Françesku të Nënë Terezës. Po risjelli në vemendje dy artikuj të botuar nga mons. dr. Zef Oroshi në Revisten Jeta Katholike Shqiptare me rastin e vizitës së Shenjtereshës Nënes Tereze në kishën katolike shqiptare në Nju York si dhe fjalën në anglisht të mbajtur nga Nënë Tereza në këtë kishë.

Dy artikujt e botuar nën titujt “MATER TERESA BOJAXHIU NE KISHEN TONE SHQIPTARE”Revista Jeta Katholike Shqiptare, vjeti 1972, Nr.4, dhe  “MATER TERESA BOJAXHIU NE QENDREN TONE KATHOLIKE SHQIPTARE” Revista Jeta Katholike Shqiptare, Vjeti 1976, Nr.3 na përshkruajnë sesi ajo u prit nga shqiptarët e dy besimeve fetare dhe rëndësia që pati figura e saj në komunitetin shqiptar.

(I)“MATER TERESA BOJAXHIU NE KISHEN TONE SHQIPTARE ”Revista Jeta Katholike Shqiptare, vjeti 1972, Nr.4. Në gjysmën e tetorit të kaluem, Mater Teresa Bojaxhiu, moter e jona shqiptare dhe apostull e dashtnisë kristjane n’Indi, mërriti në New York. Me këte rasë ajo kishte ardhë per të vizitue kuvendin e ri të Motravet të Dashtnisë, themelue nga ajo vetë, nji vjetë ma para në këte qytet, me pesë motra, kater indjane e celoneze dhe nji gjermane (kjo e fundit doktoreshë në medicine). Kuvendin ajo e kishte themelue me grishje të posaçme t’Argjipeshkvit, Kardinal Terence Cooke. Ndersa mjerisht këtu n’Amerikë kuvendet zhbrazen per ditë nga murgesha që largohen, Mater Teresa e gjet kuvendin e vet të dyfishuem.

Mbrenda vjetit, pesë vajza amerikane u ishin shtue pesë motravet, e ishin nisë per novicjatë. E pra kuvendi i saj gjindet në vendin ma të vobektin e New York-ut (në fund të Bronx-it), dhe urdhni i saj ka nji kusht të posaçem per t’u sherbye të vobektëvet ma të harruemvet nga shoqnija nierzore, pa kurrfarë shperblimit. Si mund të jetojnë? Vetem nga bamirësat që u siellë Provanija Hyjnore.

Nji grusht nieri, per ta pá, sot në moshen 62 vjeçare, me rave e rrudha shkaktue ma teper nga vuejtja në sherbime të randa se nga pleqnija, me duer blloshka-blloshka, shkaktue nga punët ma t’ultat e krahut në sherbim të mjeruemvet, por gjithmonë e kënaqun e ndritun në fytyrë nga nji gazmend shpirtnuer, të jep pershtypjen se ajo jeton ma teper per atë jetë se per këte.

Para pervujtnisë së saj dhe indiferentizmit per gjanat e shekullit mbeten shtang auktoritetet të mdhaja, si fetare si shekullore, që e ndiejne vetin të nderueme kur takohen me Mater Teresa per ta ndihmue në planet e saja humanitare.

E fjeshtë e e ambël në kuvend, por edhe intuitive e e preme nder planet e veta, të cilat duket se vete Zoti ia sheston perpara se t’i ndermarri e t’i zbatoje, pa i u shmange kurr programit te cilin ia ka caktue vetit dhe urdhnit: me njofte e me pa Krishtin ne çdo qenje nierzore që ka nevojë per vepren e saj e mos me u kursye per kurrkand, pa kurrfare intereset toksore.

Vetë programi i saj e frymëzoi shkrimtarin e permendun anglez (i cili, në pikepamje besimit asht shum larg nga Mater Teresa) me i dhanë titullin, librit që shkroi vjetin e kaluem mbi vepren e saj: “Something Beautiful for God” (Diçka të Bukur per Zotin), të drejtat e shitjes te cilit ia dhuroi me Copyright the Mother Teresa Committee, 1971”, qe t’ardhunat të shkojne per veprat e Mater Tereses.

Libri porositet tek Harper & Row, Publishers “New York, Evanston, San Francisco, London.

Sa kishte mërritë në New York, ajo i kishte lanë telefonin të nenshkruemit, tue diftue deshiren qe me u pa.

Gëzimi i im qe i madh per lajm që më kishte lanë: aq ma fort pse Mater Teresa asht nji shpirt internacjonal n’idealet e saja.

Ajo me te vertete mundohet me ndjekë gjurmët e Krishtit në veprimtarinë e saj: “Pertransiit benefacendo” – Kaloi tue ba mirë- na thotë Ungjilltari per tê. Due te tham se Mater Teresa nuk asht emocjonale, si shpesh here na shqiptaret e mergates, per apatriot e patriotizëm, (shum here me fjale kumbuese:). –

Ajo e shikon vepren e vet nen prizmen e Humanitarizmit- Kristjan, dhe ky asht ideali i jetes se saj, qe e ka ba aq të permendun në të tanë boten, Kristjane e jo Kristjane.

Lajmi që me shkue me u pa me te, prandej, më gazmoi, pse e dijta me njiherë se arsyeja që me u pa nuk ishte tjeter, prej anes së saj, vetem me dijtë diçka per bashkvllazent shqiptarë të New York-ut. E ashtu qe.

Naten para bana pikë-takimin, dhe ne nesret, bashkë me nji shqiptar që nuk punonte atë ditë, u nisem. Por u desht mjaft kohe me e gjetë kuvendin nder ato shtepija të shkallmueme e të rraskapituna.

Tue shkue me maqinë ngadalë gjate rruges s’adresës, ma teper se numri i shtëpisë, i vogel e i padukëshem, qe rruga vetë, e pastrueme per afer njiqind metrash, që na dha me kuptue se dikush ndryshej nga banorët e lagjës banonte atypari.

I gjetem motrat dhe Mater Teresen tue lye per bukuri kapelen e ré qe ato vetë kishin shestue.

Personalisht Mater Teresen e kam njoftë njimbëdhetë vjet ma para. Asokohet, me këshillin e Monsignor Landy-t e temin pat kerkue ajo vetë nga Ambasada Shqiptare e Romës që t’i lejohej e ama që të shkonte me vdekë te i biri, Kolonel Lazri, në Siçili.

Porse qeverija fatose e Tiranës e gjet dhe këte çashtje të perhime me politikë: Nuk qe lejue me dalë, dhe e ama vdiq tri vjet ma para, pa mujte e bija me e pá per afer pesëdhetë vjet. Por Mater Teresa nuk mundet me u idhnue me kurrkand. Shprehja e saj dhe ne këte rasë qe: “U baftë vullndesa e Zotit!”

Me njiherë, prandej sa hymë mbrende, me njofti, dhe pyetjet e saja qenë ma të parat per shqiptarët e New York-ut.

Kishte mbetë e mahnitun, ndersa po i tregojshem per qendrat fetare kombëtare qe, me perpjekje e flijime kanë krijue komunitetet tona.

Lutja e parë që i bana, qe që të vinte të diellen e afert të kisha e jonë per t’u pá me bashkëvllaznit.

Mjerisht, programet e pregatituna per te nder shum vende t’Amerikës, nuk lejojshin që ajo të gjindej ne dielle këtu në New York.

Nderkaq na foli me kënaqësi mbi përparimin e përhapjen e urdhnit e të kuvendevet të saja, prej Indijet, nder shum vende tjera të botës.

Nga kuvendi që ajo pat krijue disa vjet ma para në Calcutta, ishin themelue e përhapë nder qytete të ndryshme t’Indisë, edhe katërdhetë e kater tjera, kater n’Europë, tri n’Ameriken e Jugut, nji n’USA., tri n’Australi, nji n’Afrikë dhe nji n’Azin e vogel, Jordani, me nji numer pergjithtë murgeshash prej shtatqind e pesëdhetë.

Mjerisht deri në sot asnji shqiptare nuk gjindet n’urdhnin e saj. Le të shpresojmë në t’ardhëmen.

Së fundit, tue pa se këte rradhë nuk kishte mundësi të vinte me u pa me popull, iu lutem që të vinte, nji herë tjeter, me pá kishen tonë. Por gja e çuditshme!

Perpara se të pranonte, më pyeti: “A asht në vend të vobekët? Si i pergjegja se po, veç ia behi në kambë: “Çohi, pra të shkojmë.”

Me vete morem edhe eproren e kuvendit, dhe per habi të saj, nisem aty-këtu me i permende fraza e shprehje shqipe Mater Tereses.

Na tregoi se, njashtu “me atë shqipen teme të keqe, merreshem vesht me letra me nanën.” Eprorja, doktoreshe medicinet, specializue sidomos per të gërbulun, e pyeti se në çfarë gjuhet po flitëshim.

Mater Teresa i tregoi se ajo kishte le jashtë Shqipnijet, porse ishte shqiptare. Atëherë bâmë pak gaz me doktoreshen. “Moter, mos harroni se Mater Teresa âsht nanë e moter e jona, e si rrjedhim, Ju jeni mesa tona.” (Shperthei nji gaz i pergjithtë).

Tue mos mujtë me u pa me popull, Mater Teresa atëherë mendoi me gjetë nji fotografi të veten dhe te na lënte bekimin shkruem në gjuhen shqipe, ndoshta i pari botim i saj në gjuhen tonë. Para se të ndaheshim, me dha premtimin se kur të vijë njieherë tjeter në New York, ka per ta ruejtë nji të dielle per t’ardhe te kisha e jonë e me u shmallë me vllazen të vet.

Mater Teresa, në programet e pregatituna per te nga vete amerikanët, qe pritte me nderim e respekt të madh nga auktoritete të nalta, fetare e civile, nder të cilët shum ipeshkvij e kardinaj, nder ta Kardinal Terence Cooke dhe Kardinal O’Boyle i Washington-it.

Në Pittsburgh, Pa, qe pritë nga Organizatat katholike, me Ipeshkvin Leonard në krye, në Hilton Hotel, prej ma se shtatqind vetash, nder ta, shqiptarja e mirënjoftun, Angela Spiro Muka, e cila jo vetem qe u prit nder ma të parat nga Mater Teresa, dhe ia bani asaj ndêjen e kënaqëshme në nji ambjent luksos, që ajo nuk dishron, por edhe i rroposi gazetarët sepse nuk kishin shenue nder artikuj se Mater Teresa asht shqiptare.

Të lumt, Angela, ashtu duhet!

Këtu, fjalimin e rastit, Mater Teresa e mbajti në “Ball Room” e madhe të hotelit.

Gjatë fjalimit nuk mund të ndigjohej miza tue fluturue, aq heshtje si vdekjet mbante udjenca e të gjith ajo mori nierzish.

U nderpre, vetem atëherë kur, njeni nga udjenca, i mahnitun në shpirt nga pervujtnija e fjeshtësija e Mater Tereses, e çoi zanin e tha: “Kjo e ka nji pervujtni aq te madhe, sa e ka mbush plot me te krejte salonin e stermadh!”

Un mendoj dhe deshiroj të propozoj, qe kur të vij heren tjeter Mater Teresa në New York, të jemi të pregatitun per t’i bâ nji pritje qe të na ka hije, si bashkëvllazen të saj, në nji hotel në Manhattan, të gjith shqiptarët, padallim.

Me këte rase, simbas mundesivet, me i dhan edhe nji ndihmë sado të vogel per vepren e saj.

Mater Teresa nderon kombin e racen shqiptare me punen qe bân dhe ia ka njoftë bota mbarë.

Per né shqiptarë, nuk âsht vetem nji vullndet i mirë humanitar, por edhe detyrë patriotike, derisa vepra e madhe humanitare e njij motrës sonë si Mater Teresa, âsht vepra ma e shquemja dhe ma e admiruemja në botën e shekullit njizetët.

 

(II)“MATER TERESA BOJAXHIU NE QENDREN TONE KATHOLIKE SHQIPTARE” Revista Jeta Katholike Shqiptare, Vjeti 1976, Nr.3. Kishte ma se nji vjetë ç’se kishim grishë motrën tonë të dashtun, Mater Terese Bojaxhiu-n, shejtneshë e gjallë e shekullit njizetët, per t’ardhë me u përshndetë s’afërmi me vllaznit e vet.

Mjerisht ajo e ka qendrën e veprimtarisë së vet larg nesh. Kurdoherë që vjen n’Amerikë, i ka programet e paracaktueme prej Ipeshkvijvet n’Amerikë per çdo weekend (fundjave) kur populli janë të lirë nga puna.

Prandej ardhja e saj në Qendrën tonë mujt me u vertetue vetem me 25 korrik të këti vjeti, per arsye se në këte vjetë i takoi të vinte per të dyten herë n’Amerikë.

Herën e fundit per në Kongresin Eukaristik Nderkombtar 41 në Philadelphia, PA., ku, e grishun, i foli krejt botës mbi problemet e ngutëshme të t’urisë e mjerimit nder popuj që janë kah zhvillohen.

Pjesëmarrja e popullit tanë, si edhe e Perfaqsijvet të randësishme të bashkvllazënvet Orthodoks e Muslimanë, ka qene e dendun (1800 veta).

Para se me shpjegue Ungjillin e ditës, Msgr Oroshi i drejtoj nji përshndetje të perzemërt Mater Tereses.

Në fjalimin e vet na spjegoi hollësisht veprimtarinë e saj ç’prej fillimit e deri në ditët tona. Fjalimin e ti po e biem këtu në tansi.

 

FJALA E MSGR. DR. ZEF OROSHIT

 

Mater Terese, mirë se na keni ardhë në mes vëllazenvet Tuej, kristjanë e muslimanë!  Të gjith njij mendje e njij zemre Ju a japim këtë mirsëardhje.

Sot në këte ditë kemi popull shqiptarë, prej të gjitha fenavet, nga të gjitha kandet e New York-ut me rrethe, që kanë ardhë me gëzim në zemrë, i madh e i vogël, me marrë rasën me u përshndet me Ju, si nanë e Motër e jona. Shum nierz të mdhaj ka pasë Shqipnija gjatë shekujvet, o shqiptarë me lindje osè shqiptarë me prjardhje. Porse fati nuk ka dashtë të punojshin per vendin e vet. Porse vokacjoni i Juej asht krejtë i posaçem e nderkombtar, me u sherbye të vobekëvet ma të braktisunvet në botë, padallim rrace, gjuhet, e besimit: Dashtni e pa interes e nieriut per nieriun, e themelueme mbi dashtninë e Zotit, simbas parimit ungjilluer, dueje t’afermin si vetë-vetin; Kurrkush nuk mundet me pasë dashtni ma të madhe e ma të vertetë se ai që jep jeten ose kushton jeten per t afermin e vet.

Na i falemi nderës Zotit, që nëpermes të njaj Motrës sonë ka dashtë me i sherbye asaj pjesë të nierzimit që gjindet nder mjerime, e shumherë e braktisun nga bota e shekullarizimit që sot në shekullin e njizetë, kerkon mâ teper e ma m’e bâ jeten sa ma te lumtun, pa u kujtue se nji pjesë e madhe e nierzimit gjindet në vuejtje, vobeksi të mjerueshme e paperkrahje.

Mater Teresa leu në Shkup, nga nji familje e mirënjoftun shqiptare. Shkollimin e parë e bani aty.

Në moshë endè të mitun, thirrë nga Zoti si rregulltare, shkon n’Irlandë, dhe atje edukohet në Kongregacjonin Loreto.

Misjonin e kerkon n’Indi. Aty sherbeu per afer njizet vjet, si eduekuese, n’arsim. Mbas njizet vjetëvet n’atë kongregacjon, ajo ndien zanin e Zotit që e thrret per t’u bâ sherbim të mjeruemvet e të braktiksunvet nga shoqnija nierzore.

Ajo kerkoi nga Selija Shêjte që me u largue nga kongregacjoni Loreto, per t’ia kushtue vepren e saj të mjeruemvet per të cilët nuk kujdesej kurrkush.

Në vjetin 1948 lêja i qe dhanë nga Papa Piu XII. Ajo menjiherë nisi themelimin e njij kongregacjonit të ri fetar i cili t’i a kushtonte krejtë veprimtarinë atyne nierzvet që mjerisht ishin lanë e braktisë me vdekë rrugëvet, si të perjashtuem nga gjinija nierzore, a nga smundje të pasherueshme e ngjitëse, ose nga rrethana tjera.

Ky kongregacjon i ri qe pagëzue me emnin: Misjonaret e Dashtnisë. “Dashtni per ke? Per të mjeruemët e të mjeruemvet”, per të cilët nuk kishte askush dashtni, por ndoshta urrejtje e mëni per vetë ekzistencen e tyne.

Kjo veprimtari do të vulosej edhe me nji kusht të posaçëm të rregulltarëvet pjesemarrese: Mos me kërkue kurr shpërblim per punen e tyne, tue u hjedhë drejtëperdrejtë nder duert e Provanisë Hyjnore.

Menjiherë mbas aprovimit, Mater Teresa mblodh rreth vetit disa shoqe, dhe iu pervesh punës.

Puna e Saj la pamend edhe vetë Indijanët, pse deri n’atë ditë nuk kishin pa as n’anderr nji veprimtari asisojit.

Ajo nisi me mbledhë rrugash pleq, plaka, qorra sakata, të smundë me gjithçfarë smundje, të gëbulun, fëmij të tretun rrugash e lanë me vdekë rrugash.

Veprimtarija e Saj filloi nder llombështinat e Kalkutës, n’Indi, ku aso kohet mbretnonte vobekësi e madhe ekonomike e hygjenike.

Zani i kësaj veprimtarijet u përhup në krejtë Hindine e Madhe.

Veprimtarija e Saj erdh perherë e tue u rritë. Nevojat paraqitëshin edhe ma të ngutëshme.

E Zoti vet po e bekonte vepren e pervujtë të Nanës Terese, ndersa kuvendet e rregultarëvet perparimtare osè progresiste po mbetëshin thatë, Mater Tereses po i siellte Zoti vokacjone të pamêshme nga të gjitha kombet ku kjo themeloi nji kuvend te ri.

Sot Kongregacjoni i Motravet të dashtnisë numron 1100 motra, dhe 150 laik rregulltarë, per shkollimin e rinisë mashkullore.

Vetem n’Angli ka nji organizatë anonyme, perbâ nga qinda e qinda burrash e grashë, që punojnë per vepren e Mater Tereses, po ashtu n’Amerike, Francë, Holland, Gjermani.

Mater Teresa e ka fillue apostullimin e vet themelue permbi vorfni të plotë, fill sikur Krishti filloi apostullimin e vet.

Nji ditë, njeni që donte të bahej dishepull i ti i tha se donte me shkue tek shpija e Krishtit pse donte me u ba dishepull. Ti hajde i tha Krishti, porse i Biri i Nieriut nuk ka as gur ku të mbështesi kryet. Ashtu në fillim të Kongregacjonit, Mater Teresa me motrat jetuen në vobeksinë ma të madhen. Shpesh u mungoi edhe kashata e bukës.

Nji ditë motra kuzhinjere erdh e i tha në vesh Mater Tereses, se nuk kishte ma aspak oriz. “Mirë i tha Mater Teresa mbrama shkojme ne kishë e bajmë lutat, mandej shkojmë e flejmë.” Mbas pak minutash trakllon në derë nji grue Bengaleze, që nuk ishte pa kurr aty, me nji thes oriz: Qe, tha Mater Teresa – kishim oriz sa per drekë, tash Provanija mendoi edhe per darke.

Por ajo që na jep shpresë per t’ardhmen, asht se motrat e Mater Tereses, kanë përvetësue jeten e saj, dhe janë gëzuem që gjinden n’urdhënin e saj. Përvujtnija e tyne, ndigjesa e tyne, veprimtarija e tyne me plot dashtni per të mjeruemt, dhe përshpirtnija e disiplina e padiskutueshme e tyne, të japin me kuptue se themelimi i Mater Tereses asht nji themelim simbas Shpirtit të Zotit. Qe motra Andrea, gjermane, e doktoreshë medicinet per nji ideal ma të naltë, ia ka kushtue personalitetin e vet bashkëpunimit me Mater Teresen, per të veprue, me fjalët e Malcolm Muggeridge në titullin e librit dokumentar të tijin mbi vepren e Mater Tereses: “Something Beautifull for God.”

Mater Teresa, na do të lutemi per lulëzimin e veprës s’ate. Të lutem lutu edhe Ti per popullin Shqiptar, pse ka nevojë.

Mbasi që e mbaroi fjalen e vet Msgr.Oroshi e grishi Kancelarin e Arkidjocezit te Kishës Orthodokse Shqiptare t’Amerikës ne Boston Fr. Liolini-n, i cili me fjalët e ngrohta e njikohsisht të gëzueshme e pershndeti Mater Teresen ma parë në gjuhen shqipe e mandej edhe anglisht.

 

FJALA E AT ARTHUR LIOLIN

Jam kryelartë dhe shum i nderur si perfaqsonjës i Kishës Orthodokse Shqiptare n’Amerikë të pjestojë këte okazion me qellim të shênjt që nderohet e shum e dashura Nana Tereze e cila e ka bartur emrin shqiptar nëper botën me jeten e thjeshtë e të panjollë dhe devotim të madh per Shpetimtarin tonë Jezu Krishtin.

Kryepeshkopata dhe Këshilli më kanë ngarkuar të prezentojë këte dhuratë per punen e motrave mirëbarëse në Calcutta, Indi si nji shej spirtual dhe perkrahje  morale per punen e randë dhe dashtninë tuej kristjanike.

Njikohësisht ju drejtojmë dhe ju ftojmë të na nderoni me ardhjen Teuj në Katedralen tonë të Shen Gjergjit në Boston, në kohën Tuej të volitshme.

U lutem, akceptoni këte ikone të Shejtit Hermani i Alaskës i cili asht i pari shejt orthodoks n’Amerikë, si edhe volumin e jetëshkrimit jetëndruarit Kryepshkopit tonë Fan S. Nolit bashkë me historinë e Kishës tonë Orthodokse Shqiptare n’Amerikë.

Ju keni fitue zemrat e popullit të madh, por siç asht e ditur populli shqiptar këtu dhe kudo, ka nji vend të veçant në zemrë Tuej.

Fjala e At Liolin-it e sidomos rasa e dorzimit dy dhuratave u përshndet nga populli mbarë me nji duertrokitje frenetike.

Mandej Msgr. Oroshi grishi Mater Teresen per t’i sjellë fjalen e vet të pranishëmvet.

Sikurse krejtë Jeta e saj asht nji dishmi e gjallë e dashtnisë Krishtit ndaj të mjeruemvet, ashtu qe edhe permbajtja e fjalimit sajë. Nana Terese, megjithse bijë e gjakut tanë, nuk e zotnon mirë gjuhen shqipe.

Arsyeja asht sepse vendlindjen e vet e la qysh në moshe katermbëdhetë vjeçare dhe se mësimet fillestare i pat ndjek në gjuhen serbishte.

Qysh prej asaj kohe e deri sot ka pasë të bajë me gjuhen anglishte.

Prandej mbassi e pershndeti popullin me: Zoti kjoftë me ju, në gjuhën shqipe, ajo vijoi në gjuhën anglishte.

 

FJALA E MATER TERESESI am very grateful to God for giving me this opportunity to be with you today and to thank God together for all his love for his care he has shown for each one of us, for all of us throughout the world. Because God loves you God loves me and because he loved us, he gave his Son for us who became man like you and me in all things exept sin. And he wanted us to love one another as he loved us. And Jesus loved us with a great love. He died for us on the cross and then to make sure that we understand what his love is, he made himself bread of life, he made himself the Eucharist, and he said unless you eat my flesh you cannot live. But the goodness of the Heart of Jesus was not satisfied with us. He wanted to satisfy his own love for us. And he made himself the hungry one, the naked one, the homeless one and he said: I was hungry and you gave me to eat, I was naked and you clothed me, and I was homeless and you took me in. Whatever you did to the poor, you did it to me. This is the beautiful part of God’s love for you and for me. He gives us chance to love him in the poor. Love to be true has to hurt. It hurt Jesus to love you and to love me. And so if we have to love one another must hurt also. I never asked from people to give me from their abundance. I always asked to give until it hurts, to give because they love and true love always hurts.

Sometime ago in Calcutta we didn’t have suger for our children and a little child of  4 years old a non christian, he came to me and said: “I will not eat suger for three days, give this to your children”.

That little child loved until it hurt. God has been good to you, God has given you much and he will give you much more if you keep your heart open to him and you give others what Jesus has given to you.

The world does not need the people, the people don’t need our pity and simpathy. They need our love and compassion. But this must become first in our own home. It is not real love if we love people outside and we don’t have time for our people. Love begins at our home. In our own home must begin the first love. For your husband, for your wife, for your children for the old father and mother. Where are they?

Poverty can be in our own home also. Poverty is not only being hungry for bread, being naked for clothes, being homeless for a home, poverty is also being unwanted, unloved, rejected: and this is very great poverty.

There is a great poverty in abortion if the child has to die because they cannot feed one more child, they cannot educate one more child, the child must die; and that child has been created in the image of God, for greater things, to love God and to serve neighbour. And St. John, has said something very beautiful and very strange, and he says if you love God, if you say that you love God and you do not love your nieghbour, you are a liar. And this is when you and I must come to understand that love begins at home.

It is so difficult to smile to each other if we do not like to smile. At the very your own home begins the smile and that is the beginning of love. Begin to make sacrifices for each other and for the poor and that is a great love.

My prayer for you is that you and I and all people of Albania the whole world become holy. Holiness is not luxury for a few. Holiness is very simple duty for you and for me. So let us glorify God to holiness so that the worls may know that we love one another and that we live up to our call: God bless You!”

Me fjalën e Mater Tereses muerën fund ceremonitë fetare të kësaj ditë. Mater Teresa qendroi edhe per nji kohë tue u përshndetë me popull e tue marrë fotografina.

Kushdo e merrte dorën e sajë e puthte me devocjon, i bindun se asht tue marrë njesë nga shejtneshë e gjallë.

Mbas përshndetjes, bashkë me motrën Andrew e klerikët, Mater Teresa u ndalue per drekë në Qendrën tonë. Me këte rast iu dorëzue edhe lmosha prej $1000.00, që populli dha per vepren e Saj.

Angazhimet e shumta nuk e lejojshin me ndejë ma gjatë. Po atë ditë kishte takime e sidomos do të pregatitej për Kongresin Euharistik në Philadelphia. Pa., ku kishte per të folë tri herë.

Megjithate, na mbetme të kënaqun që patem fat m’e pasë në kishën tonë e me ndie fjalën e Saj.

 

 

 

 

 

 

 

Comment

*