Takimi Merkel – Putin në Gjermani

Berlin, 19 gusht 2018 – Presidenti rus Vladimir Putin dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilluan sot bisedime dypalëshe në shtëpinë e pritjes së qeverisë gjermane në Meseberg, në veri të Berlinit.

Pjesë e axhendës së bisedimeve ishin çështje si Siria, Ukraina, marrëveshja bërthamore me Iranin dhe gazsjellësi rus “Nord Stream 2”.

Duke folur në konferencën për shtyp përpara takimit, zonja Merkel theksoi nevojën për “të shmangur një katastrofë humanitare në qytetin Idlib të Sirisë, dhe në zonat përreth tij”.

“Kemi përgjegjësi, Gjermania dhe në veçanti Rusia si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, prandaj duhet të punojmë për të gjetur zgjidhjen”, tha zonja Merkel.

Zoti Putin i bëri thirrje Evropës të kontribuojë financiarisht për rindërtimin e Sirisë, gjë që do të mundësonte kthimin në shtëpitë e tyre të miliona refugjatëve.

“Më lejoni t’ju kujtoj se 1 milionë refugjatë gjenden në Jordani, 1 milionë në Liban dhe 3 milionë në Turqi. Kjo situatë mund të shndërrohet në një barrë të rëndë për Evropën. Pra, është mirë të bëhet gjithçka që këta njerëz të mund të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha zoti Putin.

Gjermania, e cila ka pranuar qindra mijëra refugjatë sirianë që iu larguan luftës, ka këmbëngulur në të kaluarën se nuk do të kontribuonte për rindërtimin e Sirisë, pa arritjen e një marrëveshjeje politike që do t’i jepte fund luftës.

Për çështjen e Ukrainës, zonja Merkel foli mbi mundësinë e krijimit të një misioni të OKB-së për të ndihmuar në vendosjen e paqes në këtë vend.

Zoti Putin theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëveshjes bërthamore me Iranin “për të forcuar sigurinë globale”.

Bashkëpunimi ekonomik, në veçanti në sektorin energjitik, u shfaq gjithashtu si temë qendrore në bisedime.

Rusia dhe Gjermania janë vende partnere në projektin e gazsjellësit Nord Stream 2, i cili është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara, si një projekt që do të rriste varësinë energjitike të Evropës nga Rusia, do të dëmtonte Ukrainën – një vend kryesor tranziti për gazin natyror, si dhe për rreziqet mjedisore.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*