Takimi Thaçi – Vuçiq përfundon pa ndonjë marrëveshje

Bruksel, 8 nëntor 2018 – Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga, siç ka thënë, fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.

Thirrjet e saj ishin pjesë e një komunikate pas takimit ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

Zonja Mogherini, tha në komunikatë se pret që Prishtina dhe Beogradi të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj bisedimeve duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që kanë ato me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe aspiratave të tyre evropiane. “Në diskutimet e saj me dy presidentët Federica Mogerini theksoi nevojën që Kosova dhe Serbia të sigurojnë një mjedis të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit”, thuhet në komunikatë, sipas së cilës, ata diskutuan për hapat e nevojshëm në rrugën përpara dhe vendosën të mbesin në kontakt të vazhdueshëm në ditët në vijim.

Të dy presidentët folën për një takim të vështirë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “ishte takim aspak i lehtë”.

“Ishte takim i radhës i fazës finale të përmbylljes së këtij procesi jashtëzakonisht të vështirë, por interesi i të dyja vendeve është që të përmbyllet me një marrëveshje që siguron njohje reciproke”, theksoi ai, ndërsa bëri thirrje për bashkim të partive politike në Kosovë, përballë Serbisë.

“Mbetet të shihet në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat, por mund të them se është sfidë jo e lehtë që të ballafaqohemi me gjithë këtë aparaturë të Serbisë këtu. Do të ishte mirë që i gjithë spektri politik në Kosovë të unifikohet dhe të vijë këtu e të ballafaqohemi. Është ‘momentum’, shans historik që të sigurohet njohja e Kosovës nga Serbia”, tha ai, duke shprehur rezervat e tij që rreth mundësisë që të arrihet një marrëveshje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh përderisa nuk tërhiqet taksa prej 10 për qind e vënë nga qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe siç tha, nuk hiqet dorë nga veprime tjera të Prishtinës.

“Serbia është e gatshme për bisedime, por para kësaj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet – të mos kërcënojë serbët me dërgimin e ushtrisë. Mos të vendosë tarifa të reja. Nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjerat?! Nuk janë në gjendje të formojnë Asociacionin, nuk mund ta respektojnë CEFTA-n, atëherë çka mund të respektojnë nga marrëveshjet e Brukselit”, është shprehur Vuçiq.

Presidenti Thaçi, tha ndërkaq se ligjërimi i palës serbe “ishte agresiv dhe arrogant”, ndërsa ligjërimi i Kosovës “ishte i argumenteve dhe i anës së drejtë për arritjen e një marrëveshje të balancuar që do të nënkuptonte njohjen reciproke dhe hyrjen në OKB dhe zëvendësimin e rezolutës 1244”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve.

Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të rajonit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Takimi i së enjtes, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, do të duhej t’i hapte rrugën një periudhe takimesh të ngjeshura ndërmjet të dyja palëve.

Të dy presidentët do të marrin pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të dielën në Paris. Presidenti Thaçi e ka hedhur poshtë çdo mundësi që të bisedohet atje, ndërsa presidenti serb, Vuçiç, ka thënë se mund të ketë një takim me praninë e zyrtarëve të lartë perëndimorë, por nuk pritet të ketë asgjë me peshë në Francë.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*