Takimi Trump – Kim Jong Un do të mbahet më 12 qershor, në Singapor

Uashington, 2 qershor 2018 – Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se takimi me udhëheqësin e Koresë Veriore, Kim Jong Un, do të mbahet në datën e caktuar, më 12 qershor, në Singapor.

Presidenti Trump e bëri këtë deklaratë pas takimit që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me zyrtarin e lartë të Koresë së Veriut, Kim Yong Chol, i cili është zyrtari i parë i lartë koreanoverior që vjen për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, në 18 vitet e fundit.

Trump tha se takimi i 12 qershorit do të jetë i pari në kuadër të një procesi të gjatë diplomatik për ndërtimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Ai tha se në këtë proces do të kenë një rol të rëndësishëm edhe Koreja e Jugut, Japonia dhe Kina, fqinjët e fuqishëm të Koresë së Veriut.

Presidenti Trump tha se takimi i një presidenti amerikan me udhëheheqësin koreanoverior duhej të kishte ndodhur shumë vite më parë, të cilin ai e quajti një takim të rëndësishëm për t’i dhënë fund luftës koreane.

Trump tha se gjatë takimit dy-orësh me krahun e djathtë të udhëheqësit koreanoverior kanë biseduar për një sërë çështjesh, përfshirë edhe sanksionet ndaj Koresë së Veriut, për të cilat tha se do të vazhdojnë të mbeten në fuqi. Ai tha se me zyrtarin koreanoverior kanë biseduar për t’i dhënë fund luftës rreth 70-vjeçare mes dy Koreve.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte hapur çështjen e të drejtave të njeriut me përfaqësuesin e lartë të vendit komunist, Trump tha se kjo çështje nuk ishte diskutuar në takimin e së premtes në Shtëpinë e Bardhë. Por ai tha se udhëheqësit koreanoveriorë janë të interesuar që vendi i tyre të zhvillohet dhe në këtë proces ai tha se fqinjët e tyre do të kenë një rol të rëndësishëm.

Kim Yong Chol erdhi në Uashington nga Nju Jorku, ku zhvilloi dy ditë bisedime me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Ai i dorëzoi Presidentit Trump një letër të udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un, por presidenti nuk komentoi mbi përmbajtjen e letrës.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*