Taksa në “Rrugën e Kombit” është ngarkesë për bizneset

Prishtinë, 27 mars 2018 – Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për vendosjen e taksës për qarkullim në autostradën “Rruga e Kombit”, nga përfaqësues të biznesit në Kosovë po konsiderohet si barrierë shtesë në marrëdhëniet tregtare Kosovë-Shqipëri.

Kompania “Pestova”, e cila bën prodhimin dhe përpunimin e patates, është njëra nga ndërmarrjet kosovare së cilës autostrada i krijoi mundësi të mirë për ta zgjeruar biznesin edhe në Shqipëri.

Bedri Kosumi, pronari i kësaj kompanie, thotë për Radion Evropa e Lirë  se vendosja e taksës konsiderohet e shtrenjtë dhe barrierë për biznesin. Ai thotë se kjo taksë duhet të jetë së paku 50 për qind më e ulët sesa është caktuar nga Qeveria e Shqipërisë.

“Është e shtrenjtë kur kihet parasysh se në atë rrugë kalojmë kryesisht ne kosovarët dhe jo dikush tjetër. Kjo është e njëanshme dhe duhet të punohet në këtë drejtim. Edhe në disa vende të botës paguhet taksa për autostradë, por tjetër standard kemi ne. Nga kjo taksë nuk ka asgjë pozitive. Transporti do të kushtojë më shtrenjtë”, thotë Kosumi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se një vendim i tillë është në interes të një grupi të caktuar dhe jo në interes të përmbushjes së premtimeve të takimeve ndërqeveritare të dy shteteve për unifikim të legjislacionit dhe për krijimin e lehtësirave.

“Si Odë Ekonomik, jemi të vetëdijshëm që rrugët e ndërtuara kanë nevojë për mirëmbajtje, mirëpo një taksë e tillë dhe një shumë çfarë është paraparë të aplikohet është shumë e shtrenjtë për kosovarët. Po ashtu, duhet të kuptohet që kjo autostradë nuk është ndërtuar me koncesion, por është paguar nga taksa të qytetarëve të Shqipërisë, prandaj duhet të gjenden forma tjera për ta mirëmbajtur. Përveç kësaj, kjo autostradë nuk është e kompletuar. Ka mungesë të urave, të sinjalizimit e të tjera”, thotë Gërxhaliu.

Sipas tij, kjo taksë dëshmon se Kosova dhe Shqipëria më shumë bëjnë marketing politik se sa merren me zgjidhjen e problemeve.

“Në një anë, trumbetohet për dogana të përbashkëta, kurse, në anën tjetër, vihen barriera të tilla”, thotë Gërxhaliu.

“Është koha kur duhet të avancohet dialogu mes institucioneve dhe të mos jenë bizneset dhe qytetarët ata që e paguajë këtë kosto. Kosovarët meritojnë një tretman më dinjitoz në Shqipëri, për vetë faktin që brenda një viti ne i shpenzojnë deri në 400 milionë euro në Shqipëri, për turizëm. Të ngarkohemi më një barrë të tillë nuk është e ndershme”, thotë Gërxhaliu.

Qytetarët e Kosovës janë vizitorët më të shpeshtë të Shqipërisë. Vendosjen e taksës ata e konsiderojnë të shtrenjtë.

Adelina, një qytetare, thotë se pushimet çdo herë i ka kaluar në Shqipëri dhe vendosjen e taksës për autostradë e sheh të paarsyeshme.

“Vendosja e taksës për ‘Rrugën e Kombit’ është absurde. Ne vetëm në Shqipëri shkojmë për pushime, kështu që pagesa nuk ka kuptim. Dhjetë euro është shumë. Do të duhej të ishte jo më shume se dy apo tri euro. Unë, nëse kam shkruar në Shqipëri tri apo katër herë në vit, tash besoj që do të shkoj me rrallë”, thotë ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Ahmeti.

“Nuk do të duhej të bëhej me pagesë. Unë si qytetar jam kundër kësaj pagese”, thotë ai.

Ndaj vendimit të Qeverisë së Shqipërisë për futjen e taksës në “Rrugën e Kombit” kanë reaguar edhe përfaqësues politikë të Kosovës dhe Shqipërisë. Ata i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj këtij vendimi.

Sipas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë,  i cili pritet të hyjë në fuqi në prill të këtij viti, të gjitha automjetet do të jenë të detyruara që vetëm për një kalim të paguajnë taksën, e cila varion nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për veturat e deri në 22.5 euro për kamionët e peshave të rënda.

Autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën është lëshuar në qarkullim në vitin 2009, ndërsa Kosova e përfundoi pjesën e saj të autostradës në vitin 2013.

Këto dy autostrada hapën rrugën zgjerimit të veprimtarive për bizneset nga Kosova dhe ato nga Shqipëria.

Sipas të dhënave të Policisë kufitare të Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë, gjatë vitit 2017 në kufirin me Shqipërinë në Vërmicë janë regjistruar 2.258.642 hyrje dhe dalje të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve. (r.m.)

Comment

*