Taksat e biznesmenit Donald Trump

Ruben Avxhiu

Nga Ruben Avxhiu

Për mua personalisht, fakti që Donald Trump fitoi garën mes kandidatëve republikanë në 2016 qe më e habitshme sesa zgjedhja e tij si President.
Në momentin që je një nga kandidatët e dy partive kryesore mundësia për të fituar është shumë e madhe. Është sita përzgjedhëse brenda partisë ajo që pengon kandidatët le ta themi të “pazakontë”.
Një arsye kryesore që më habiti fitorja e tij ishte se nuk kam besuar kurrë se amerikanët do të zgjidhnin një kandidat që nuk zbulon “xhepat” e tij. Kjo vlen për të gjithë politikanët, por mendoja se do të vlente akoma edhe më shumë për një biznesmen që vjen nga jashtë politikës e që për dekada nuk ka pasur nevojë që të japë llogari publike për financat e tij. Unë besoja që amerikanët do të votonin për biznesmenin Trump edhe nëse taksat e tij do të tregonin se është i korruptuar, se nuk është vërtet miliardier, se varet financiarisht nga hua e biznese nga jashtë vendit etj. Kur jepesh pas një politikani me pasion, priresh t’ia falësh të gjitha. Po nuk e kam besuar kurrë se do të votonin për dikë që refuzon të tregojë taksat. Sepse sado negative ajo që fsheh aty, nuk është më e keqe sesa imagjinata e njerëzve kur nuk tregon.
Unë hyja te ata vëzhgues të politikës që përpiqeshin të kuptonin se pse për herë të parë në periudhën moderne ishte kandidati republikan dhe jo ai demokrat që nuk guxonte të kritikonte Kremlinin. Shpjegimet ishin të larmishme. Disa që tingëllonin si fantazi e të tjera më me këmbë në tokë.
Një nga hipotezat ishte se lidhjet e biznesit me oligarkë rusë pengonin kandidatin Trump. Ishte më e besueshme se shumë të tjera. Trump ishte biznesmen. Pikëpamjet e tij ishin formuar nga përvoja në biznes. Si një bos pronash të patundshme në një epokë kur oligarkët rusë kishin shpenzuar miliarda për të blerë prona në Perëndim, përfshi edhe SHBA, rrugët mund të jenë kryqëzuar. Nuk ishte edhe aq e jashtëzakonshme nëse dilte ashtu. As nuk është se po të zbulohej vërtet një lidhje e tij financiare, Trump nuk do të zgjidhej dot president. Ai mund të fitonte edhe nëse njerëzit e dinin se kishte lidhje biznesi me rusët, por të paktën, në momentin që lidhja do të bëhej publike, Trump nuk do të kishte më nevojë të tregohej i dobët me Rusinë. Çfarëdo që rusët dinin për financat e tij, tani do t’i dinim edhe ne të tjerët. Trump do të fitonte lirinë.
Kjo ishte një vijë e arsyetimit.
Një tjetër ishte se Trump ishte I kapur nga agjentura ruse, etj. Këto katër vitet e fundit ka pasur plot përplasje për këtë punë. Nuk dua të merrem më me Rusinë dhe Presidentin se janë marrë plot ata që e duan dhe ata që e urrejnë.
Ajo që më intereson është puna e taksave. Dhe jo thjesht për Presidentin Donald Trump, po për mbarë sistemin amerikan. Beteja për bërjen publike të dokumenteve të taksave të biznesmenit njujorkez ka vazhduar dhe nesër (e martë 12 maj 2020) për këtë do të debatohet në Gjykatën Supreme amerikane. Beteja ligjore ka arritur në fazën e saj përfundimtare.
Nëse Gjykata Supreme vendos në favor të publikimit të tyre, do të shohim më në fund se për çfarë është bërë e gjithë kjo zhurmë. Nëse vendos kundër hapjes, do të kemi krjimin e një precedent nga i cili do të përfitojnë edhe presidentë të ardhshëm.
Avokatët e Presidentit argumentojnë se ai gëzon imunitet sa kohë që është në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Ata do të përpiqen të bindin Gjykatën Supreme se përpjekja e tre Komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ajo e Prokurorit të Distriktit të Manhattan-it janë në kundërshtim me Kushtetutën. Në praktikë, ato janë lëvizje politike me synime partiake dhe jo nga meraku për ligjin.
Sipas tyre, as një prokuror shteti dhe as Kongresi Amerikan nuk mund të detyrojë Presidentin të hapë dosjet e tij financiare. Presidenti qendron mbi shtetet, kurse Kongresi mund të ketë të drejtë nëse i duhen për çështje legjislative. Kurse për arsye kriminale nuk është përgjegjësi e Kongresit.
Mirëpo, Demokratët në Kongres thonë se kërkesa e tyre është në fakt për arsye legjislative. Nëse del që oligarkët rusë kanë kryer larje parash duke blerë prona nga Trump me çmime të fryra që nuk mbështeten në dokumente, atëhere kjo do të ndihmonte miratimin e ligjeve të reja kundër korrupsionit të larjes së parave. Nëse Trump ka pasur dijeni dhe ka bërë pagesa si për aktoren pornografike Stormy Daniels, kjo mund të sjellë ndryshimin e ligjeve për transparencën financiare të presidentëve të ardhshëm.
Më duket në plan të parë, se avokatët e President Trump kanë të drejtë. Kongresi dhe prokurorë shtetesh mund ta paralizojë punën e Presidentit nëse e hetojnë vazhdimisht gjatë kohës që qeveris. Kushtetuta ofron mekanizmin e paditjes në Kongres, që mund të sjellë edhe rrëzimin e Presidentit si ndodhi me Richard Nixon. Po nuk ka qartësi nëse një President mund të përndiqet ligjërisht.
Avokatët që përfaqësojnë Kongresin sigurisht do të përqendrohen te taksat e viteve kur Donald Trump nuk ka qenë president. Si biznesmen ai nuk është i mbrojtur nga Kushtetuta nëse është përfshirë në veprime kriminale.
Demokratët druhen se nëse Trump fiton, precedenti do të mbrojë presidentët e ardhshëm nëse bëjnë veprime kriminale. Asnjeri, as edhe vetë Presidenti nuk mund të gëzojë imunitet, nëse kryen një krim. Kjo është mirë në parim, po në praktikë, presidentët e ardhshëm, duke përfshirë edhe demokratët mund t’u nxihet jeta dhe ta kalojnë kohën në Shtëpi të Bardhë duke u hetuar vazhdimisht nga opozita në Kongres.
Kur demokratët të kenë zgjedhur më në fund një Demokrat në Shtëpinë e Bardhë do të pendohen për përpjekjen e sotme.
Të them të drejtën, unë personalisht dua që Gjykata Supreme të lejojë bërjen publike të dokumenteve të taksave. Dua që t’i shoh se çfarë fshehin. Mendoj se çdo politikan duhet të tregojë xhepat e tij, pavarësisht se ku jeton. Unë vij nga një vend, ku politikanët për 30 vjet me radhë kanë fshehur financat e tyre, kanë bërë akrobaci financiare për të gjetur “ishuj” sekretë financiarë që t’i shpëtojnë jo vetëm drejtësisë vendase po edhe asaj ndërkombëtare. Në këtë dekadën e fundit, SHBA ka qenë udhëheqëse e luftës kundër korrupsionit ndërkombëtar. Oligarkëve dhe politikanëve të korruptuar papritmas po u zvogëlohej bota.
Në këtë kuptim, merret me mend zhgënjimi im kur pikërisht SHBA zgjodhi president kandidatin e vetëm që refuzoi të zbulonte financat e tij. Një sinjal që trimëroi të korruptuarit anembanë.
Ideale në fakt, nuk është që Gjykata Supreme të lejojë që Kongresi të fusë duart në dosjet personale të Presidentit. Ideale do të ishte që amerikanët të refuzonin në moment çdo kandidat që nuk del tërësisht zbuluar financiarisht. Nëse nuk je gati për atë lloj hapjeje ndaj popullit, mos u lodh të vish të kërkosh besimin e tij. Kur kjo punë mbetet në duar të avokatëve, juristëve, e gjykatësve, kjo tregon se demokracia ka shënuar një dështim.
Shpresa ime e madhe nuk është që Gjykata Supreme të detyrojë Presidentin të tregojë se si e sa para ka bërë kur ishte biznesmen, por që asnjëherë më në histori, amerikanët të mos zgjedhin më mes kandidatëve presidencialë me sy mbyllur për të kaluarën e tyre financiare.

One Response to “Taksat e biznesmenit Donald Trump”

Read below or add a comment...

  1. Victor says:

    Zoti Ruben
    Une kam konsiderate dhe respekt te madhe
    per Presidentin Trump, pamarreparasysh
    se c’ shkruajne zhurnalistet per Presidentin Trump
    Presidenti Trump asht fokusuar per ngritjen ekonomise amerikaner mbrojtjen;qe gjate periudhes s’ Obama ishte lene pasdorere jo me kaqe por Presidenti Trump n arenen boterore asht tregue i shkathte dhe i patrembur nga lideret boterore ..
    Tani Administrata Trump ben prrpjekje qe enklavat arabe Bregu i perendimit por ndoshta edhe Gasa te aneksohen nga Izraeli me te drejte se ishin troje hebreje Shpresojme se Zoti Trump do te dele fitues kunder Biden . Dhe dö behet s dyti President i SH B A ve
    Per lideret shqiptare, gadi s kemi, shpresoj Albin Kurti do ja dele me korrupcionin Ne Kosove.
    Sinqerisht
    Victori

Comment

*