Tanin në KS për Kosovën: “Ka shenja se ka vullnet politik për të ecur përpara”

Nju Jork, 14 nëntor 2017 – Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, raportoi sot (e mërkurë) para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit (KS).

Në raportimin e tij për periudhën e tremujorit të tretë, Tanin tha se “shenjat e vullnetit politik dhe përkushtimit për të lëvizur përpara vërehen gjithnjë e më shumë”.

Ai veçoi integrimin e 40 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve të rinj të shtetit nga komuniteti serb në “sistemin unik të drejtësisë në Kosovë” dhe i lavdëroi të dyja palët për shtyrjen e këtij procesi përpara.

Tanin nënvizoi se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadrin e Dialogut mes Kosovës e Serbisë, në Bruksel, kërkon përkushtim më domethënës nga të dyja palët. Ai tërhoqi vërejtjen mungesën e progresit në zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Tanin theksoi se “marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës kanë potencial zhvillimi përtej ngërçit fatkeq të tejzgjatur”.

Sa i përket CEFTA-s, ai theksoi se përfaqësuesit e Prishtinës marrin pjesë në të gjitha takimet e CEFTA-s dhe se pjesëmarrja e UNMIK-ut kufizohet nga dispozitat e statuteve ligjore.

“Kjo pjesëmarrje vazhdon pikërisht deri në masën e kërkuar nga anëtarët e CEFTA-s për të siguruar funksionimin e saj që përkthehet pastaj në përkrahje të mundësive ekonomike përgjatë rajonit”, nënvizoi ai.

Tanin theksoi se Kosova përballet ende me shumë sfida.

“Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, luftimi i korrupsionit, sigurimi i llogaridhënies publike në të gjitha nivelet dhe, ndoshta mbi të gjitha, luftimi i kriminalitetit të organizuar janë objektivat kryesore”, u shpreh ai.

Por, ai theksoi se objektivi përfundimtar mbetet “paqja e qëndrueshme” e cila krijon mundësi për realizimin e interesave dhe aspiratave të qytetarëve të Kosovës. (r.m.)

Comment

*