Të dorëhequrit nga VV do të tregojnë të ardhmen e tyre javën e ardhshme

Prishtinë, 6 janar 2018 – Deputetët dhe funksionarët që kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e ture në Lëvizjen Vetëvendosje pritet që javën e ardhshme të dalin me një vendim për të ardhmen e tyre.

Këtë e ka deklaruar Visar Ymeri, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe nga të gjitha funksionet tjera në parti.

Ai nuk ka dashur të flasë për thirrjen publike të Albin Kurtit që të dorëhequrit të kthehen në parti.

“Nuk dua të flas deri javën e ardhshme. Atëherë do ta kemi një qëndrim zyrtar për këtë çështje”, ka thënë Ymeri për KTV-në nëpërmjet telefonit.

Deputetët Dardan Sejdiu dhe Shqipe Pantina, të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në organet drejtuese të Vetëvendosjes nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike për të treguar nëse do t’i rishqyrtojnë dorëheqjet e tyre.

Ndërkohë, ish kryetari Visar Ymeri, nëpërmjet një postimi të gjatë në Facebook, e ka vënë në dyshim sinqeritetin e Kurtit në ftesën për rikthimin e të dorëhequrve në parti.

Ai ka treguar se në dy takimet që ka pasur me Albin Kurtin, pas lirimit të tij nga burgu, nuk ka parë te Kurti asnjë shenjë keqardhjeje për fushatën e egër linçuese të përkrahësve të tij kundër të gjithë atyre që kanë mendim ndryshe.

Ymeri ka thënë se Kurti do t’i pranonte të dorëhequrit vetëm si të nënshtruar të tij. (r.m.)

Comment

*