Të hyrat nga diaspora kosovare shfrytëzohet kryesisht për konsum ditor

Prishtinë, 15 gusht  2013 – Remitancat të cilat vijnë në Kosovë përdoren për konsum ditor dhe pa një politikë afatgjatë për investime të qëndrueshme. Megjithëse ka edhe nga ata që pa një plan të investimeve nga ana e institucioneve të Kosovës, kursimet e tyre, që i kanë bërë në vendet perëndimore, kanë vendosur t’i investojnë në Kosovë, në biznese të vogla, që janë burim i mirë për të ardhurat për familjet kosovare.

Njeri nga ta është afaristi Shpend Pirraku, i cili për shumë vjet ka jetuar në Itali, kursimet që i ka bërë atje ka vendosur që këtë vit t’i investojë në biznesin e tij të vogël, të cilin e ka hapur në Prishtinë. Ai ka deklaruar se ka pasur në fillim pesimizëm për ta sjellë kapitalin e tij në Kosovë, por bindja e tij për ta pasur një fillim të ri e ka shtyrë të vijë këtu. “Gjithë më kanë thënë se në Kosovë nuk bën të investohet, por dëshira ime për të pasur një biznes këtu më ka shtyrë të vij në Prishtinë dhe ta hap një lokal të vogël, në të cilin janë punësuar disa persona”, ka thënë ai. Pirraku i ka ftuar edhe mërgimtarët e tjerë të veprojnë sikurse ai, pasi secili mërgimtar që ka kursyer në vendet nga vijnë mund të sjellin risi në biznesin kosovar. “Secili nga ne sjellim një përvojë të re në biznesin kosovar, pasi kemi marrë njohuri të reja të biznesit në vendet nga vijmë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), SafetGërxhaliu, është shprehur se Qeveria duhet ta bëjë një plan për remitancat, pasi janë mundësi e mirë e zhvillimit të Kosovës. Ai i ka kritikuar institucionet e Kosovës, të cilat, sipas tij, nuk po bëjnë politika të mira për të thithur më shumë investime nga bashkatdhetarët.

Kurse nga ana tjetër Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka deklaruar se remitancat vazhdojnë të kenë ndikim të madh në ekonominë e vendit. “Mendoj se e keqja është se nuk po mendohet për situatën kur dërgesat nga diaspora do të zvogëlohen, gjë që gradualisht është duke ndodhur, si rezultat edhe i ekonomive të brishta në vendet ku ndodhen pjesëtarët e diasporës sonë”, ka deklaruar ai. Sipas tij, vitet e fundit ka filluar të ndodhë diçka në drejtim të krijimit të politikave, të cilat do të mundësonin që dërgesat e diasporës të investoheshin në plane afariste. “Këto dërgesa, të cilat do ta rrisnin vlerën e tyre dhe do ta mundësonin gjenerimin e vendeve të punës, falë një angazhimi më gjithëpërfshirës të Ministrisë së Diasporës, por edhe organizatave të biznesit dhe agjencive ndërkombëtare siç janë UNDP dhe IOM”, është shprehur ai për gazetën “Epoka e re”.Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në publikimin e statistikave të sektorit të jashtëm ka nxjerrë në pah se remitancat në tremujorin e parë të vitit 2013 kanë shënuar vlerën prej 127 milionë eurosh, apo 7 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2012. (B.S) 

Comment

*