“Të jetosh vertikalisht” i Lush Isufajt – një libër monument

Prishtinë, 13 qershor 2018 – Libri “Të jetosh vertikalisht” i Lush Isufajt, i cili u promovua të mërkurën në Prishtinë, mund të quhet libër i rezistencës dhe qëndresës, individuale dhe kolektive, të shqiptarëve të Kosovës, prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në ditët e sotme.

Siç sugjeron titulli i tij, libri sjell histori dhe dëshmi të luftës së vështirë për ruajtjen e egos personale dhe të mbrojtjes së identitetit kombëtar, në kohë e rrethana jashtëzakonisht të rënda.

Ky libër, i cili u cilësua si një gërshetim i shkrimit autobiografik dhe shkrimit dokumentar, hedh dritë mbi ngjarje e personazhe reale të periudhave të ndryshme historike. Ai nxjerr në pah edhe qëndrimet dhe pikëpamjet e autorit ndaj proceseve politike, shoqërore, kulturore, arsimore, ekonomike etj.

Botuesi i librit, shkrimtari Agron Gashi, e cilësoi librin “Të jetosh vertikalisht” si “një libër mozaik, një libër monument”.

Ai tha se ky libër jete është sa histori personale e autorit, sa histori e rrëfyer prej protagonistëve të ngjarjeve që kanë lënë gjurmë apo prej dëshmitarëve të këtyre ngjarjeve.

“Për periudhat historike për të cilat flitet këtu (në libër) është shkruar, është folur, është dëshmuar shumë, por pas leximit të këtyre rrëfimeve historike ne shohim më mirë me sytë e mendjes e të shpirtit, si në një kaleidoskop që rri në vijë të kufirit, të njëjtën histori të thënë më ndryshe, të shkruar më ndryshe dhe, natyrisht, të lexuar më ndryshe”, tha Gashi.

Ai tha se autori i librit, siç del nga rrëfimet e tij, është njohës shumë i mirë i ambientit, ngjarjeve dhe njerëzce që i përshkruan.

“Ai (autori) njeh kulturën dhe subkulturën dukagjinase, njeh familje e burra të urtë e në za, tribunë popullore dhe vëren dallimet e përbashkimet në mes tyre, shenjë kjo e njeriut të burrëruar nën frymën e trollit të të parëve të tij. Dhe jo vetëm kaq. Secili rrëfim dhe secila dëshmi e tyre mund të  lexohet e të ruhet si një dokument”, u shpreh Gashi.

Ai tha se autori i transmeton në mënyrë besnike historitë e mesazhet dhe i citon në mënyrë besnike, ashtu siç i ka parë dhe siç i ka dëgjuar.

“Lushaj, me durim e përpikëri, madje duke ruajtur frazën e ligjërimit dukagjinas, na sjell rrëfimet e tyre të plota, të trishta, të papara dhe të palexuara më parë”, theksoi Gashi.

Ai tha se libri është një mozaik herë autobiografik e herë historik, duke qenë se autori, Lush Isufaj, ka qenë edhe protagonist apo dëshmitar i ndodhive e ngjarjeve që kanë lënë gjurmë dhe pjesëmarrës aktiv në procese të ndryshme shoqërore e politike.

Redaktori Beqë Cufaj e quan këtë libër si “dokument monumental” i jetës së një njeriu (autorit) dhe i një kolektiviteti (kombit).

 

“Libri me kujtime e dëshmi ‘Të jetosh vertikalisht’ është një dokument monumental i jetës së njeriut të quajtur Lush Isufaj, krajatave të një populli dhe mbijetesës e fitores së një kombi”, shkruan Cufaj, në pasthënien e librit.

Ai vëren e autori, ndonëse është protagonist në të shumtën e rrëfimeve e kujtimeve të tij, nuke vë në plan të parë veten e tij.

“Autori, në tërë këtë libër voluminoz, përpiqet dhe arrin që vetëveten të mos e vëjë në plan të parë. Veti e një njeriu që ecën vertikalisht”, shkruan Cufaj.

Ai thekson se autori meriton mirënjohje për punën e tij të palodhshme për të mirën e Kosovës dhe të shqiptarëve, sikur edhe për këtë libër që hedh dritë edhe mbi ngjarje e figura historike që kanë mbetur në hije, për çfarëdo arsyesh.

“Jemi ne ata që Lush Isufajt duhet t’ia japim meritën por edhe falënderimin për modestinë dhe punën e bërë gjatë gjithë jetës së tij, sidomos për punën e palodhur të disa dekadave dhe, fare në fund, për këtë libër përmes të cilit na bën që të kuptojmë një element qenësor të ekzistencës sonë sot”, shkruan Cufaj.

Historiani e arkivisti Jusuf Osmani e vlerësoi librin “Të jetosh vertikalisht” si një sprovë të suksesshme të autorit që të rrëfejë e të dëshmojë për ngjarje e periudha të ndryshme historike, prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në ditët e sotme.

Osmani tha se ky lloj shkrimi, ku gërshetohet jetëshkrimi dhe shkrimi historik, është me shumë vlerë për historiografinë shqiptare, e cila është e varfër me dokumente e materiale arkivore, sepse ato janë fshehur, janë zhdukur dhe janë shkatërruar ndër shekuj dhe më vonë.

Librin “Të jetosh vertikalisht” e vlerësoi si një botim me vlerë shumëdimensionale edhe avokati shqiptaro-amerikan Getoar Mjeku. Ai lexoi për publikun e pranishëm një fragment të shkrimit të redaktorit Cufaj.

Vetë autori, Lush Isufaj, e cilësoi librin e tij si një përpjekje për të dëshmuar çfarë ka dëgjuar, çfarë ka parë dhe çfarë ka përjetuar vetë, qysh prej fëmijërisë së tij të hershme e deri në ditët e sotme. Ai tregoi se me kureshtje e interesim të veçantë i ka dëgjuar rrëfimet dhe historitë e figurave më të rëndësishme të lëvizjes shqiptare për pavarësi, i ka vrojtuar në mënyrë objektive proceset shoqërore, kulturore e arsimore si edhe proceset politike dhe ecuritë ekonomike nëpër periudha të ndryshme kohore.

Isufaj tha se ai nuk ka shkruar me pretendimin që t’u vë pikë gjërave dhe që të imponojë pikëpamjet dhe këndvështrimet e tij për ato që ka shkruar. Ai theksoi se ka shkruar sepse e ka ndjerë si detyrë të tregojë çfarë ka dëgjuar, çfarë ka parë dhe çfarë ka përjetuar vetë.

Libri i Lush Isufajt “Të jetosh vertikalisht” u botua nga Shtëpia Botuese “Parnas” në Prishtinë. Libri i ka 703 faqe. Është i ilustruar edhe me fotografi, dokumente dhe referenca të cilat ia shtojnë vlerën dokumentare.

Ramadan Muçolli

 

 

 

Comment

*