Të kujtojmë atdhetarin, mësuesin, gjuhëtarin, Ilia Dilo Sheperi

Anton Çefa

Me rastin e 175-vjetorit të vdekjes

 

Nga Anton Çefa

Lindi në vitin 1872, në Sheper të Zagorisë, në atë trevë të begatshme atdhetarizmi, plot vlagë ideali, ndjenje dhe vullneti patriotik. Jetoi në periudhat më kyçe të historisë sonë, vlerësoi me zgjuarësi detyrat parësore të secilës prej tyre dhe i ndriçuar nga ato, përcaktoi rrugën e vet të jetës e të punës, duke u rreshtuar gjithnjë në krahun më përparimtar të shqiptarizmës dhe, me përkushtim fisnik, nuk kurseu asgjë në dobi të Shqipërisë.

Në periudhën e parë të jetës, duke ndjerë jehonën burrërore të Lidhjes së Prizrenit, u bë shërbestar i gjuhës. Tek dituria, që fillon me gjuhën e ëmbël të nënave, ai vendosi altarin tek i cili do të lutej dhe edhe do të flijohej, po qe nevoja, për lirinë dhe begatinë kombëtare. Vetëm kultura do të davariste mjegullat e iniorancës që kishte endur robërimi shekullor, do të dritësonte ndërgjegjet e tulatura dhe do të ndizte zjarrin e shenjtë të dashurisë për atdheun. Kështu, që në moshë të re, Ilia zuri vend në llogoret e arsimimit të popullit, edhe pse e dinte fort mirë se atje ai do të ndeshej, për jetë e për vdekje, me armiqtë e kombit: pushtuesit osmanë dhe Patrikanën e Stambollit.

Ilia Dilo Sheperi

Patrikana, armiku më i egër i gjuhës e i shkollës sonë- një nga armët më të rrezikshme në sendërtimin e qellimeve djallëzore të greqizimit të krahinave tona të Jugut- e ndoqi dhe e përndoqi me të gjitha mënyrat që dinte e që përdorte ajo dhe në të gjitha shtigjjet e liga dhe rrugët kriminale, që përshkonte ajo tinëzisht e haptas; por burri nuk jepej. Atëherë ajo vendosi ta zhdukte. A nuk kishte dënuar e ekzekutuar në mënyrat më barbare sa e sa kolegë të shkollës e të idealit të Ilias?

Nën padinë se “mësonte gjuhën shqipe dhe se shkollën greke të fshatit e kishte kthyer në shkollë shqipe, Patrikana e dënoi me vdekje. Padia qe më se e vërtetë: megjithse, shkolla shqipe në Sheper u hap në vitin 1917, Ilia e pati kthyer shtëpinë e vet në shkollë, ku mësohej gjuha shqipe, që në vitin 1907.

Dënimit kapital të Patrikanës, mësuesi i urtë iu përgjegj me stoicizmin e idealistit të vërtetë: “Edhe kur të më prisni kokën, në grykën time do të gjeni një “a”, një “b’ dhe një “c”. Nuk di ndonjë shkollë tjetër kombëtare që të jetë ndërtuar mbi themele të tilla të lavdishme vetëflijimi e heroizmi, por këtë dukuri kaq të thjeshtë e kaq të faktuar nuk e kanë pranuar dhe nuk duan ende ta pranojnë kojshitë tanë, të cilët edhe sot e kësaj dite, na e mohojnë gjuhën dhe shkollën amtare në Çamëri dhe gjithandej nëpër Greqi.

Mbas shpalljes së Pavarësisë, Ilia Dilo Sheperi e afirmoi veten si personalitet i fuqishëm në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, duke bërë një punë të madhe për hartimin e teksteve dhe programeve mësimore të shkollave të shtetit të ri shqiptar, në përshtatje me kushtet e reja të krijuara në vendin tonë.

Idealin e përvojën e tij për ngritjen e shkollës kombëtare shqipe, ai e dëshmoi, gjithashtu, si pjesëmarrës aktiv i Kongresit Arsimor të Lushnjës (1920) dhe Kongresit Arsimor të Tiranës (1922).

Gjatë këtyre viteve, ai punoi pa u lodhur, si mësues në shkollat e mesme dhe si inspektor arsimi në zonat e Gjirokastrës e të Vlorës, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë zgjërimit të rrjetit shkollor, pa lënë mbas dore përmirësimin cilësor të mësimit  e të edukimit.

Veprimtarinë e frytshme në fushën e shkollës dhe të arsimit, Ilia, gjithnjë e shoqëroi me një aktivitet të dendur, në fusha të tjera në shërbim të çështjes kombëtare.

Në vitin 1919, më 23 nëntor, në prag të Kongresit të Lushnjës, ai qe në radhën e parë të atyre intelektualëve patriotë gjirokastritë, që themeluan shoqërinë “Vëllezëria”, në Gjirokastër, e cila zhvilloi një veprimtari të dendur “për mbrojtjen e kufijve të Atdheut, për njohjen e të drejtave tona kombëtare nga Fuqitë e huaja,… si edhe në drejtim të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare. Shoqëria shënoi, gjithashtu, disa arritje sidomos në fushën kulturore-artistike, sportive, etj.” (Shefik Osmani, “Fjalor i pedagogjisë”, Tiranë, 1983, f. 705).

Dashuria e flaktë për gjuhën shqipe, aftësitë e shquuara intelektuale dhe përvoja e tij e gjatë si mësues u jetësuan në një hulli të veçantë të veprimtarisë së Ilia Dilo Sheperit, në atë të shkencës gjuhësore. Në vitin 1927, ai botoi tekstin: “Gramatika dhe sindaksa e gjuhës shqipe”, i vlerësuar si një nga tekstet më të mira të gramatikës sonë për arsimin e mesëm. I ndërtuar mbi kritere të rrepta shkencore, ky tekst ndikoi mjaft për të konsoliduar shumë pikëpamje deri atëherë të pastabilizuara. Për vlerat shkencore të kësaj vepre, prof. Enver Hysa ka shkruar: “Gramatika e tij plotësonte një zbrazti, dhe vinte një gur themeli në gramatologjinë shqipe. Kjo gramatikë është një burim me rëndësi për historinë e zhvillimit të gjuhës letrare e të terminologjisë shkencore gjuhësore të përdorur në të, ajo shërben edhe sot në punën e gramatikanëve si një vepër me vlerë të madhe që nuk mund të mos merret parasysh për idetë dhe mendimet e reja, për zgjidhjet shkencore që ka dhënë për probleme të veçanta, sidomos të morfologjisë, të fjalëformimit e të gjuhës letrare në veçanti.” (“Zagoria”, gazetë e shoqatës atdhetare-kulturore “Çajupi”, nr. 2, prill 1997, f. 3).

Mbas daljes në pension, në vitin 1933, ai iu kushtua punës shkencore. Me politikën, Ilia merrej kur atdheu dhe politika kishin nevojë për personalitetin e tij. Pavarësia qe fituar, shteti shqiptar i 1913-ës i shpëtoi copëtimit të plotë, sado që një pjesë e mirë e trojeve mbetën nën robërinë e fqinjve. Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës i rivendosën themelet e Shqipërisë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai kishte dhënë ndihmesën e vet, ndihmesën e vyer të një patrioti të madh. Për Shqipërinë e robëruar i qante zemra dhe i dhimbte shpirti, por e mbante shpresa. Një ditë qe shprehur: “Shqipëri pa Kosovë nuk ka, ashtu siç nuk ka Kosovë pa Shqipëri”.

Pushtimin fashist e priti me fyerjen dhe urrejtjen e një atdhetari. Ftesën “e politikës” me shkue në Romë për t’i vënë Viktor Emanuelit kurorën e Skënderbeut, e priti me përbuzje dhe e hodhi poshtë në mënyrë të prerë. Jetoi, duke u gëzuar për luftën kundër pushtuesit dhe i kënaqur që djali i tij, Jani, pa u lajthitur si shumë të tjerë nga propaganda pansllaviste me lëvozhgë internacionalizmi e demokracie, qe rreshtuar në krahun e drejtë të atdhetarëve të vërtetë, në krah të Mithat Frashërit; por e pau, e ndjeu dhe e paralajmëroi rrezikun e madh komunist që po i kërcënohej Shqipërisë.

Në vitet e luftës përjetoi edhe një fatkeqësi: djegien e bibliotekës nga gjermanët, me hjekësinë tinzake të Dushan Mugoshës. Pau aty të digjet e të bëhet shkrumb puna shkencore e sa e sa viteve: botimi i dytë i përpunuar i Gramatikës, përfunduar që në vitin 1935, një tekst stilistike për shkollat e mesme, punën e nisur për një fjalor të gjuhës shqipe, shënime dialektologjike, materiale folklorike e etnografike të mbledhura me mund nëpër fshatrat e Zagorisë, një libër të përkthyer nga greqishtja dhe një tjetër të përkthyer nga anglishtja dhe, sidomos, dy vëllime me fjalimet e tij, letra dërguar Patrikanës, Papës së Romës, personaliteteve të ndryshme evropiane, albanologëve, etj., shumë dokumenta të historisë sonë – një pasuri e vërtetë kombëtare e pa zëvendësueshme.

Vdiq në vitin 1945 dhe u varros në fshatin e tij të dashur, në Sheperin e sofrës së madhe patriotike, i nderuem prej të gjithëve.

Fatkeqësitë do ta ndiqnin edhe pas vdekjes. Fanatizmi komunist, me veprime të huaja për natyrën dhe zakonet shqiptare, të huajtura nga sllavët, simbas mësimeve të Miladinit dhe Mugoshës, nuk mjaftoi që i varrosi gjithë vlerën e veprimtarisë patriotike të një jete të tërë, por i dhunoi edhe kufomën dhe varrin.

Në vitin 1979, me urdhër nga qarqet më të larta të diktaturës, i thyen varrin dhe mbasi i zvarritën kockat rrugëve të katundit, i hodhën në humnerë. Ky procesion i llahtarshëm u krye në sytë e banorëve të Sheperit, nën mbikqyrjen e forcave të sigurimit. (Sipas dëshmisë së Foni Dilos, nip i Ilias).

Demokracia bëri përpjekje për vlerësimin e figurës së tij dhe i dha titullin “Mësues i Popullit”. Me jetën dhe veprën e tij atdhetare e shkencore, ai qe dhe do të mbetet mësuesi i të gjitha breznive të ardhshme shqiptare. Lapidari i tij, i ngritur me afsh dashurie e dhimbjeje, në zemrën e popullit të thjeshtë, që di të vlerësojë më shumë se të gjitha organizmat shtetërore dhe akademitë, pret një të ardhme më të qetë të atdheut, për t’u ngritur i mermertë mbi truallin për të cilin shkriu jetën. 1)

 

1).Nuk jam në dijeni nëse është realizuar një gjë e tillë.

 

  • *    *     *

Prof. Sami Repishtit,

(Me rastin e 95-vjeorit të lindjes)

 

Trojet shqiptare – Shkodra dhe Atdheu

në zemër e në shpirt të bajnë dritë.

Diktatura, lirinë që dishrove ta mohoi,

t’i vuni prangat e t’u ba ferr,

burgje, e tortura, e internime nuk t’i ndau,

po ti Atdheun e deshte dhe e nderove,

pa kursim lavdi i dhe

lavdi që nuk shlyhet kurr.

“Jo !” diktaturës i the

e more rrugët që nuk kishin fund.

Të njofti Amerika, t’u ba Atdhe i dytë,

respekt, dashtni e mund e djersë

i fale pa kursim.

Nji ideal fisnik ta ndriti shpirtin:

“Njeriu ka lindë për të qenë i lirë,

t’i gëzojë për jetë të drejtat që i takojnë ”.

Shkodra të deshti,

“Qytetar Nderi” të emërtoi.

 

Nderim në përjetësi,

dhe lagjen ku u linde e u rrite

me emnin tand pagzoi.

Vlerësim  që të shoqnon për jetë

e ma përtej.

Trojet shqiptare – Shkodra dhe Atdheu

në zemër e në shpirt të bajnë dritë.

 

  • *    *    *
  • Kulti i familjes në mendësinë dhe në praktikën jetësore të shqiptarit
  • “Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet.”
  • Eqrem Çabej
  • Familja ka qenë dhe është një faktor psikologjik i fuqishëm në jetën e popullit tonë. Është folur, në përgjithësi, për karakterin patriarkal të familjes shqiptare, ngjyrimet e të cilit kanë ardhur deri në ditët tona, dhe i konstatojmë ende aty-këtu, diku-diku të zbehura e diku tjetër me tonalitete të errta.
  • Më mirë se kudo, në fjalët e urta, populli e zbulon vetveten, vetëdijen dhe nënvetëdijen e tij, virtytin e vesin, zakonin e normën, realen dhe vizionin, gjykimin dhe dëshirën. Në prehrin e tyre, ai ka shprehur qartë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në mënyrë figurative, konceptin e tij për familjen, për vlerat dhe rëndësinë e saj, rolin e saj në jetë e në shoqëri, për secilin pjesëtar të saj dhe marrëdhëniet mes tyre.
  • Mendësia popullore, e dhënë në proverba, në përgjithësi na del më përparimtare se praktikat jetësore; ajo kritikon dhe dënon mjaft sjellje e qëndrime patriarkale në familje, mbështet e përkrah një familje, në të cilën respektohen të drejtat e secilit dhe nderohen prindërit, ku kundërshtohen dhe nuk lejohen padrejtësitë; dënon  zakone, norma dhe veprime që bien në kundërshtim me të drejtat individuale të secilit pjesëtar familjeje, hedh poshtë pushtetin e pakufizuar të burrit mbi gruan dhe pjesëtarët e tjerë të familjes.
  • Vlerësim të lartë ushqen populli për familjen si fole e dashurisë së vërtetë dhe harmonisë, si vendi ku ndërtohet gëzimi i jetës dhe lumturia. “Moj shtëpi, moj shtëpi, m’u duktë varri si ti” 1). Koncepti themelor i familjes për urtësinë shqiptare është familja monogame, çka e dëshmojnë proverba të tillë si “Një burrë për një grua dhe një grua për një burrë” ose “Besa e kunorës – ma e madhja besë”. Ajo miraton sjellje e qëndrime që janë kushte të rëndësishme e të domosdoshme për krijimin e harmonisë familjare. Janë burri e gruaja, prindërit, që përbëjnë faktorin kryesor të mbarëvajtjes që është kusht i kësaj harmonie: “Burrë e grua, mish e thua”, “Gru e burrë si eshkë e unur”, “Gruaja me burrin ndan hallin dhe mallin”. Në mjaft gjykime të urtësisë popullore flitet për marrëdhëniet burrë-grua dhe për ndikimin e tyre ndaj njëri-tjetrit në dobi të mirëvajtjes familjare: “Gruaja e mirë e bën edhe burrin të mirë”, “Burri i mirë e bën edhe gruan të mirë”.
  • Kujdesi e respekti më i madh i takon më të voglit: “Ma i madhi në shtëpi asht fëmija”, një gjykim tejet human i shprehur në mënyrë kategorike. Vlerësohet drejt kënaqësia që krijon fëmija në rrethin familjar: “Fëmija asht bahçja e shpirtit”, “Fëmija asht pema e zemrës”, “Fëmija është gazi i shtëpisë”.
  • Duke iu vënë shpesh herë përballë praktikave konservatore, nënvlerësuese e të prapambetura ndaj gruas, rëndësinë më të madhe në drejtimin e shtëpisë, populli ia njeh gruas: “Gruaja është themeli i shtëpisë”, “Gruaja është shtëpia”, “Gruaja është kliçi i shtëpisë”, “Gruaja – dritë e shtëpisë”. “Buka është shpirti i shpirtit, gruaja është shpirti i shtëpisë”. Nuk mjafton me kaq, vlerësimi i gruas shkon edhe më tej, duke theksuar rolin e saj përcaktues në familje: “Vdes babai, s’prishet shtëpia, vdes nëna, prishet”, “Zjarri pa dru, si shtëpia pa gru”, “Babai të lë fukara, nëna të lë jetim”. Në proverba të tjerë kritikohen ashpër norma patriarkale të trajtimit të pjesëtarëve të familjes. Kështu, p. sh. përqeshen e ironizohen burrat që shfrytëzojnë gratë dhe jetojnë në kurriz të tyre: “Tre burra në shpi, e grueja në mulli”, “Dy burra në shpi, hajt nuse në mulli”, “Gruaja nuk asht lopë që shitet në pazar”.
  • Në një shtrat logjiko-emocional jepen vlerat e pjesëtarëve të familjes e të marrëdhënieve mes tyre: “Atë e nënë s’të bëhet kush”, “Nanë e babë, motër e vëlla s’të bëhet kerkush”. Më përtej, e dhënë në formë sentence, dashuria ndaj prindit lidhet me dashurinë ndaj atdheut: “Kush s’do nënën e babanë, nuk e do as vatanë”, një dashuri që ka rrënjë të thella në zemrën shqiptare.
  • Ndër fëmijë, megjithëse ndaj vajzës praktikat jetësore kanë qenë më konservative, më të prapambetura, më patriarkale krahasuar me ato ndaj djalit, është ajo që urtia popullore e ka vlerësuar më lart: “ Vajza është për nënë e për baba”, “Vajza e vogël si masha në votër”, “Vajza është për amë e babë”, “Kush ka djalë pi zeher, kush ka çupë pi sheqer”, “Ta kisha nji vajzë – tha filani – mos shkojshe me qeshë, së paku me kja hall me te”. Kjo sepse vajza gjithnjë ka qenë dhe është më afër prindërve, ajo tregohet më e dashur ndaj tyre dhe vëllezërve, më e gjindshme e më e gatshme për të ndihmuar të tjerët. Gjithsesi ekuilibrohen me njëra-tjetrën dashuria dhe dhimbja e prindit ndaj fëmijës: “Sejcili gisht dham për vedi”.
  • Përballë këtij trajtimi e qëndrimi pozitiv, në mendësinë popullore konstatohet një mbivlerësim i hapët i djalit ndaj vajzës: “Djali si ari, vajza si hallka në vesh”, “Kur lenë djalë, gëzohet gjeth e bar”, “Djali është flori në mes të baltës”.
  • Populli, në fjalën e tij të urtë ka kritikuar ashpër zakonet regresive të fejesave të dikurshme që në djep, çka ka qenë zakon në viset e Malësive të Veriut, fejesat pa kombinim moshe, ato me shkuesi ose pa dëshirën e pëlqimin e fëmijëve: “Martesa në djep, e zeza e të vet”, “Arka plot, sytë me lot”.
  • Ka edhe proverba që ende sot e kësaj dite bartin mentalitete të gabuara të së kaluares, si p. sh. kur dënohet bindja e vërbët, nënshtrimi i paarsyeshëm i fëmijës ndaj prindit: “Babës e nanës nuk i kthehet fjala”, “Këmbëzat vurja kalit dhe frerin mbaja djalit”, “Babanë e mirë nderoje, babanë e keq duroje”, ose “Plaku është shtyllë e shtëpisë”, “Ku asht plaku, mbahet konaku”, që mund të intërpretohen edhe në kahjen pozitive, si këshillë për nderimin e prindërve dhe të pleqve.
  • Në të mirë të familjes monogame, populli e trajton si të drejtë e të arsyeshme ndarjen e djalit të martuar nga familja. Për më tepër, prej kohësh ai ka regjistruar në gjirin e fjalëve të urta, gjykime që dëshmojnë qëndrime pozitive e me vlera tejet aktuale ndaj të rinjve: “Po doli zogu nga çerdhjja, lere të fluturojë”.
  • Në funksion të harmonisë, populli këshillon që kur martohet djali, të ndahet prej prindërve dhe të krijojë familjen e vet: “Ndarja është e mira e të ligave”. Për të njëjtin qëllim, ai kërkon të respektohen me rigorozitet marrëdhëniet financiare ndërmjet vëllezërve: “Vëllai është ortak”, “Vëllezër jemi, po hesapi të eci”, “Kush s’ndau me vëllanë, ndau me djallë”.
  • * *   *
  • Tradicionalisht familja shqiptare ka qenë një familje patriarkale. Babai ka drejtuar dhe urdhëruar tërë pjesëtarët e familjes. Urdhëri i tij ka qenë i padiskutueshëm. Të gjithë i janë bindur fjalës së tij. Gruaja, nëna , vajzat kanë qenë më të nënshtruarat. Gjithsesi, veçoritë e psikës sonë etnike kanë ushtruar ndikimin e tyre edhe mbi mënyrën se si është konceptuar familja dhe, në njëfarë mase, e kanë demokratizuar atë; nëna, gruaja, motra janë nderuar e respektuar; babai nuk ka qenë ai patriarku i kanunit, përveç malësive ku është zbatuar ky.
  • Në Malësitë ku është qeverisur mbi bazën e kanunit, patriarkalizmi ka qenë i plotë, i padiskutueshën në konservatorizmin e vet, deri nga fillimi i gjysmës së shekullit të kaluar. Familja ka funksionuar mbi bazën e konceptit primitiv të superioritetit absolut të mashkullit. Por, edhe me nënshtrimin e plotë të gruas, humaniteti i vetëdijes njerëzore dhe tharmet etiko-morale të psikës etnike të popullit tonë, nuk kanë mundur të pengojnë intimitetin në jetën familjare, respektin dhe konsideratën e ndërsjelltë, dhe jo vetëm kaq, po edhe një dashuri të sinqertë ndaj gruas.
  • Qëndrimin ndaj gruas, trajtimin që i bëhej asaj, e ka përcaktuar mirë e me objektivitet, Cordignano, kur flet për vlerën morale e shoqërore të saj në ligjin e psikologjinë shqiptare të maleve tona : “Gruaja përballë së drejtës nuk ka një personalitet të vetin dhe konsiderohet qenie, interesat materiale a ekonomike të së cilës i rregullon familja…; por është e qartë që shpirti i racës nuk ka lejuar ta bëjë skllave, të lindur për kënaqësitë e mashkullit. Jo,… gruaja shqiptare ruan gjithmonë në fund një dinjitet të vetin që spikat mirë,… ajo ka në familje, si motër, si grua dhe si nënë një mision e një vend të rendit të parë.” 2). Ky vlerësim për dinjitetin dhe për misionin e saj si motër, si grua dhe si nënë, ka vlerë të përgjithshme për krejt gruan shqiptare.
  • Gjithsesi, në zonat malore, gruaja deri vonë, ka kaluar një jetë tejet të vështirë, e ngarkuar rëndë me punët më të ndryshme brenda dhe jashtë shtëpisë.
  • * *   *
  • Gjendjen e familjes shqiptare në përgjithësi, nga fundi i viteve ’30 të shekullit të kaluar, na e ka dhënë shumë mirë Çabej: “Në lëmë sociale themelin e qendrën e jetës shqiptare e përbën familja e madhe. Shqiptari është për gjithë jetën e tij i lidhur përhera me të. Kjo lidhje patriarkale ekziston jo vetëm për katundarin, por edhe për banorët e qytetit. Ç’është për malësorin fisi dhe familja e madhe është për qytetarin familja. Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet.” 3). Çabej, familjen e ka quajtur një shtysë të fortë në karakterin dhe qëndrimin shpirtëror të shqiptarëve, gjë që e ka pohuar edhe për ilirët. 4).
  • Për përkushtimin e shqiptarit ndaj familjes, autoritetin e babait a kryetarit të saj dhe respektin për të moshuarit, ka shkruar edhe Konica: “Një anë tjetër e karakterit shqiptar është përkushtimi i thellë i një njeriu ndaj prindërve dhe familjes. Kjo ndjenjë e natyrshme si kudo gjetkë, merr një formë më të mprehtë në Shqipëri, ku familja është një njësi shoqërore, që në një shkallë të gjerë zë vendin e shtetit në mendimin e njerëzve. Fëmijët rriten me traditat pak a shumë patriarkale për të respektuar më të mëdhenjtë, e mbi të gjithë, babanë, fjala e të cilit është ligj brenda caqeve të familjes. . .” 5).
  • Kjo lidhje e gjerë shpirtërore e shqiptarit me familjen, ky kult i saj në jetën familjare dhe shoqërore, është vënë re edhe prej të huajve që kanë rënë në kontakt me popullin tonë. Të tërheqin vëmendjen përshtypjet që i kanë bërë Miss Durhamit, në fillimet e shek. XX, disa probleme të familjes shqiptare: “Edhe në fiset më të egra, me gjithë punët shumë të rënda që kanë mbi supe, gratë nuk janë aq të shtypura sa duken. Burrat i trajtojnë me njëfarë fisnikërie të ashpër dhe i respektojnë.” 6). Për banorët e fshatit Postenan, (Leskovik), ajo thotë: “Ishin njerëz seriozë, me dinjitet, të matur, të fortë, të pashëm dhe të shëndetshëm. U mbaheshin shumë dokeve. Të rinjtë i respektonin shumë të moshuarit.” 7).
  • Udhëtarë të huaj kanë bërë edhe krahasime mes nesh dhe popujve fqinjë, për gjendjen dhe trajtimin e grave. Udhëtari anglez Hjuz shkruan: shqiptarët “nuk janë xhelozë për gratë e tyre dhe nuk i mbyllin ato si grekët e turqit.” Grekët femrën, me të arritur në moshën e pubertitetit, e izolojnë më me fanatizëm se një murgeshë katolike.” 8). Por duhet vënë në dukje se gratë e familjeve të pasura sidomos në qytete mbylleshin në shtëpi dhe kur dilnin mbuloheshin me ferexhe dhe shoqëroheshin prej shërbyeseve.
  • Durham ka vënë në dukje edhe mendësi të përparuara të qyteteve shqiptare lidhur me femrën. Kështu, ajo duke iu referuar Tiranës, shkruan: “Gratë me shkollë gëzojnë respekt të madh dhe shumë prej tyre janë të pavarura në mendime. Baballarët ngulnin këmbë që edhe vajzat të bënin po aq shkollë sa djemtë.” 9).
  • Përfundim. Në kohët tona të integrimeve evropiane e globale, në emër të lirisë së individit, në qytetërimin përendimor, po dobësohen lidhjet familjare, shpesh deri në çthurje të plotë. Për popullin tonë që nuk është ende psikologjisht i përgatitur për t’i bërë ballë kësaj situate, një gjë e tillë mund të sjellë pasoja të dëmshme. Prandaj, nuk duhet të harrojmë për asnjë moment që familja përbën themelet e shoqërisë, të shtetit dhe të kombit. Nga një familje e shëndoshë varet e ardhmja e tyre. “Asht gjykue me humbë njaj popull e njajo kulturë, e cila e ka bjerrë poezinë e pastrinë e jetës familjare, kur nuk i nderon njato ligje e njato caqe, mbrenda të cilave enden e përmblidhen tagri, detyra, morali e ndera e familjes.”, ka thënë Paulsen. 10).
  • Duke ruajtur çka kemi të shëndoshë nga tradita, të filtrojmë në filtrën e psikës sonë çdo të re që na sjell koha dhe rrethanat. Në këtë prizem, të përpiqemi nëpërmjet një edukate të studiuar mirë, të synojmë drejt një familjeje, në të cilën dashuria e kapërcen interesin, ku secili duke gëzuar të drejtën e vet të plotë, të përpiqet për të mirën e të gjithëve.
  • Referenca
  • 1). Proverbat e cituar janë përzgjedhur nga: “Fjalë të urta të popullit shqiptar”, etj.
  • 2). Fulvio Cordignano S. I. “L’ Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario Italiano di P. Domenico Pasi S. I. (1847-1914), volume I, Roma 1933, p.108.
  • 3). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f.28.
  • 4). Eqrem Çabej, Po aty, 61, ref. 66.
  • 5). Faik Konica, “Vepra”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1993, f. 436.
  • 6). Edith Durham, “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”, Shtëpia botuuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, f. 92-93.
  • 7). Edith Durham, vepër e cituuar, f. 50.
  • 8). Hughes, Th. S. “Travels in Sicily, Greece and Albania”, v. II, P. 35, London, 1835, Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f.
  • 9). Edith Durham, vepër e cituar, f. 92.
  • 10). Cituar sipas Pader Anton Harapit, “Kulla e Babelit”, “Phoenix–Shtëpia e librit”, Tiranë, 1999, f.12.

Comment

*