Të njohësh lirinë

Astrit Lulushi

Njeriu që lindi e vdiq në robëri ose diktaturë, kuptohet, iku pa e njohur lirinë. Sa vdiqën të tillë?! Por kombi është ndryshe nga njeriu i vetëm. Një shoqëri, një komb, që lind dhe ende nuk e njeh lirinë, e ka të pamundur ta kuptojë atë. Gjithashtu, i mungon mundësia të kuptojë sa liri ka humbur. Fakti është se këtë koncept nuk e njeh, prandaj as nuk e di nëse ka humbur apo ka fituar. Por as që do t’ia dijë, sepse, si në rast zgjedhjesh, fitoren dhe humbjen, e trajton njësoj.

Vendi ka ecur pa bërë qoftë edhe një hap përpara, që, për nga mendësia, i ngjan një banke të amortizuar. Ashtu i ka ndërtuar edhe institucionet. Sa herë është hapur një shteg, diçka ka stisur, dhe përsëri është mbështjellë e ngatërruar në lëmshin vet. Edhe të huajt nuk është se asnjë s’e ka dashur, madje e kanë ndihmuar, por ai vetë i ka përzënë e fajësuar, kur këta janë përpjekur të zgjidhin fillin e tij.

Vendi ka ngecur në vorbullën e vet. I ngjan njeriut në fazën e parë, pa përvojë, pa asgjë, përballë stepës pafund e mundësive pa anë. Dhe ai mundohet të kapet pas së shkuarës me pyll të erret e të dendur. Por edhe këtë e ka rrjepur, aq shumë e ka përdorur, për të justifikuar çdo gjë, dhe gabimet e veta. Jeton në grup, në komunitet pak a shumë të organizuar sipas traditës, a thua se ka pasur ndonjë traditë siç e kërkon koha sot. Jeton në një rajon me kufinj të caktuar, por i ndarë nga ligjet dhe partitë e veta, në bazë fisesh, klanesh të gjitha deri diku të lidhura, duke krijuar nyje, si në spango, të cilat nuk e lejojnë të shtrihet. Liria konsiston në dëshirën për të zotëruar veten, thoshte Sokrati. Dmth., se njeriu nuk është i varfër, jo sepse ka shumë, por sepse ka nevojë për pak, dhe të ardhurat e tjera shkojnë për kulturë, art, qeverisje e përparim të vendit.

Comment

*