Tefta Tashko – Koço, zeri engjellor i perjetshem

Sadik Elshani

Me rastin e 70 vjetorit te ndarjes fizike nga kjo bote te kengetares sone te madhe, Tefta Tashko – Koço (2 nentor 1910 – 22 dhjetor 1947)
Tefta Tashko – Koço eshte kengetarje jone me e madhe e muzikes operistike dhe e kenges lirike qytetare qe edhe sot, pas 70 viteve te ndarjes nga kjo bote, ende eshte shume e dashur, e adhuruar nga te gjithe adhuruesit e artit muzikor. Interpretimet e saj me plot mjeshteri artistike e ndjenja atdhedashurie jane bere pike referimi per te gjitha kengetaret tona qe erdhen pas saj. Ajo kenges i jepte shpirt!
Lindi me 2 nentor te vitit 1910 ne Egjipt. I ati i saj ishte atdhetari Thanas Tashko, nje nga figurat me te rendesishme te diaspores shqiptare. Pas vdekjes se tij me 1921, tere familja kthehet ne Shqiperi dhe vendosen ne Korce. Ajo qysh ne femijeri u angazhua ne grupet muzikore. Fale talentit te saj, me 26 qershor, ne moshen 15 vjecare, ajo jep koncertin e pare zyrtar. Mes viteve 1927 e 1936 shperngulet me familjen ne Montpellier te Frances dhe fillon studimet e larta per muzike, per kendim (kanto). Me 1930 do te incizoje kenge te njohura e te famshme shqiptare me grupin e kompozitorit Neço Muka. Ndersa me 1931 fillon vitin e pare ne Konservatorin e Parisit. Edhe ketu ajo shquhet per talentin e saj dhe shkelqen ne disa konkurse.
Me 1936 kthehet ne Shqiperi dhe mban koncertin e saj te pare ne Korçe. Gjate viteve 1936 – 1939 ka patur nje jete artistike mjaft aktive, plot koncerte ne te gjithe vendin. Koncerti i mbajtur ne Shkoder ne vitin 1938 eshte mjaft i rendesishem, sepse ne kete koncert ishin te pranishem edhe kater viganet e letersise dhe kultures shqiptare: Asdreni, At Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci e Ernest Koliqi. U martua me 1940 me baritonin Kristo Koco. Ne vitet 1937 e 1942 shkon ne Itali, ku me Shoqerine Columbia inçizon disa kenge te njohura te muzikes popullore, kenge lirike e kenge qytetare. Fale ketyre inçizimeve cilesore, Teften do ta kemi te pranishme gjithmone ne mesin tone. Ka qene kengetare e Radio Tiranes qe nga perurimi i ketij radiostacioni ne vitin 1938. Vdes me 1947 pas nje semundje te rende. Djali dhe femija i saj i vetem eshte dirigjenti dhe muzikologu i njohur, Eno Koço.
Siç u permend edhe me lart, pas mbarimit te Konservatorit Kombetar te Muzikes ne Paris, ajo u kthye ne Shqiperi ne vitin 1936. Dihet fare mire niveli kulturor i Shqiperise se atyre viteve, mungesa e institucioneve kulturore, orkestrave, etj. Shkurt, mungonin edhe gjerat me elementare per nje veprimtari te thjeshte artistike. E vetedijshme per kete gjendje, Tefta Tashko nuk u deshperua, por me shume perpjekje ajo organizonte koncerte neper qytetet dhe qytezat e Shqiperise, ku mezi qe gjendej nje piano per ta shoqeruar ate. Kenget qe i kishte krijuar populli, ajo tani po ia kthente popullit duke i iterpretuar me nje mjeshteri te rralle artistike. Ne ate kohe Tefta kishte patur shansin per te ardhur ne Amerike, por ajo refuzoi dhe ne vend te Amerikes zgjodhi Shqiperine. (Kete ma ka konfirmuar vete djali i saj, Eno Koço ne nje kembim elektronik qe kemi patur ne vitin 2010, kur ne shoqaten “Bijte e shqipes” ne Filadelfia po organizonim nje veprimtari me rastin e 100 vjetorit te lindjes se Tefta Tashkos). Kushtet ne te cilat e zhvilloi veprimtarine e saj artistike, pengesat me te cilat po ballafaqohej Tefta Tashko ishin shume te veshtira, por Tefta nuk u ankua kurre, nuk u mllefos, nuk u zemerua me askend, nuk kerkonte poste drejtuese, nuk kerkonte asgje – ishte e kenaqur vetem me nje salle dhe nje piano. Ishte kenaqesi per te kur e shihte publikun te entuziazmuar, duke i shijuar, duke i adhuruar interpretimet e saj. Nuk u zmbraps nga sulmet dhe veprimet e uleta parake (primitive) te injoranteve qe mundoheshin ta pengonin me çdo kusht misionin e saj. Me punen e saj Tefta mundohej ta ngjallte jeten kulturore e artistike ne Shqiperi. Me punen e saj te palodhur, me aktin e saj fisnik e atdhetar Tefta Tashko deshmoi se atdheut gjithmone i kemi borxh, ndersa atdheu kurre nuk na ka borxh per asgje. Artistet e medhenj jane edhe atdhetare te devotshem. E tille ishte edhe Tefta Tashko. Me interpretimet e saj te shkelqyera ajo botes ia shpalosi vlerat shpirterore te kombit tone, duke deshmuar se edhe kenget tona jane po aq cilesore sa edhe ato italiane, franceze… Ajo ishte dhe do te mbetet misherim i artistit te angazhuar, e perkushtuar per perparimin e popullit te vet, shembelltyre per brezat e rinj.
Tefta Tashko me interpretimet e saj plot art e me teknike te re e pasuroi repertorin e kenges qytetare dhe muzikes tradicionale shqiptare. Ende sot me endje ndegjohen kenget: “Kur me vjen burri nga stani”, Une, o ty moj te kam dashte”, “Kenke nur i bukurise”, “Zare trendafile”, “Edhe guret e sokakut” e shume e shume kenge te tjera nga te gjitha qytetet e Shqiperise.Tefta Tashko eshte vleresuar lart nga kritika shqiptare dhe ajo nderkombetare si nje soprano me timber te qarte, tone te qarta, intonacione kristalore dhe nje teknik vokale brilante. Tefta Tashko u shua ne moshe shume te re, ne kulmin e pjekurise se saj artistike, por ajo do te mbetet nje yll i muzikes sone qe do te shkelqeje gjithmone, zeri i saj eshte nje ze engjelli qe do te jehoje perhere. Ta ruajme shpirtin e saj ne zemrat tona!
Filadelfia, 22 dhjetor 2017
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

 

Comment

*