“Telekom Albania” shitet për 50 milion euro

Tiranë, 16 janar 2019 – Kompania shqiptare e telefonisë mobile “Telekom Albania” është shitur për 50 milion euro. Ajo do të kalojë në pronesi të kompanisë bullgare “Albania Telecom Invest AD”, e cila zotërohet nga sipërmarrësi bullgar Spas Roussev, i cili zotëron paketën kontrolluese të aksioneve të operatorit ekzistues të telekomit të Bullgarisë Vivacom, dhe nga Elvin Guri, një investitor shqiptaro-bullgar.

Njoftimi është bërë publik nga kompania greke OTE, pjesë e grupit Deutsche Telekom, e cila kontrollon kompaninë shqiptare Telekom Albania.

Drejtuesi i OTE-së, Michael Tsamaz, është shprehur se “shitja e “Telekom Albania”, përmbyll investimin e suksesshëm në Shqipëri për Grupin OTE.

Ky është një vendim strategjik, në kontekstin e prioriteteve të rishikuara të Grupit dhe planeve të rritjes, me qëllim që të krijojë vlerë për të gjithë aksionarët dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm.

Blerja e kompanisë nga një grup investimi i fortë dhe sipërmarrës siguron rritjen e saj dhe krijon kushte për të forcuar më tej pozicionin e saj në treg”, ka theksuar Tsamaz.

Megjithatë, transaksioni do të konsiderohet plotësisht i mbyllur, pas miratimit dhe nga autoritetet lokale kompetente dhe pritet të përfundojë brenda gjysmës së parë të vitit 2019.

Në garë për blerjen e “Telekom Albania”-s ka qenë një kompani turke, një sipërmarrës grek si dhe kompania shtetërore serbe e telefonisë “Telekom Serbia”. Kjo e fundit kishte bërë dhe ofertën më të lartë financiare, por interesimi i saj, u kundërshtua nga autoritetet shqiptare, ndonëse bëhej fjalë për një transaksion privat.

“Ky është një sektor strategjik dhe natyrisht, qeveria shqiptare pyetet, i kërkohet një mendim nga vetë ata që janë të interesuar. Qëndrimi i qeverisë shqiptare është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë, bizneset serbe janë të mirëpritura në Republikën e Shqipërisë, por në këtë sektor strategjik nuk është preferenca jonë”, deklaroi zoti Rama në tetor të vitit të kaluar.

Të njejtin qëndrim ua kishte shprehur përfaqësuesve të “Telekom Serbia” edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Damina Gjiknuri. Edhe ai kishte theksuar se prania e kompanisë serbe nuk ishte e mirëpritur dhe se kjo do të ishte e papërshtatshme edhe për aktivitetin e kompanisë, pasi mund të provokonte reagime të natyrës politike.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*