Telekomi i Kosovës gjendet mes mbijetesës dhe falimentimit

Prishtinë, 21 maj 2018 – Telekomi i Kosovës, dikur kompania më profitabile në vend, aktualisht po përballet me krizë financiare dhe është afër falimentimit. Për të dalë nga kjo gjendje, Qeveria e Kosovës, përveç tjerash, ka paraparë uljen e pagave për punëtorët e kësaj kompanie.

Por, kjo përveç që po kundërshtohet nga Sindikata e Punëtorëve nuk po shihet si mënyrë e duhur për ta shpëtuar këtë kompani nga falimentimi as nga ekspertët e fushës përkatëse.

Javë më parë anëtarët e Bordit të Telekomit kishin njoftuar kabinetin qeveritar se borxhi i akumuluar i Telekomit të Kosovës ka arritur në 60 milionë euro.

Ata kishin thënë se kompania ka një numër të madh të punëtorëve dhe shpenzime të mëdha të qirasë. Po ashtu, Telekomi duhet të mbyllë një borxh ndaj Z-mobile prej mbi 26 milionë euro, si dhe ka rreth 11 milionë euro borxhe ndaj furnitorëve. Një situatë e tilë, është thënë se e ka vënë Telekomin në vazhdimin e humbjeve financiare, ku vetëm për tre muaj kompania ka humbur katër milionë euro.

Kryeministri i Kosovës Ramush Hardinaj, tha se qeveria është e hapur për të gjitha propozimet për nxjerrjen e kësaj kompanie publike nga kriza dhe shpëtimin e saj nga falimentimi.

“Qeveria nuk është se ka dëshirë të ulë pagat apo edhe të merret me kriza. Kriza në Telekom po na merr një kohë të vlefshme, por duhet ta shpëtojmë këtë kompani dhe nuk duhet ta pranojmë falimentimin, pasi që do të ishte lajmi më i keq për punëtorët. Duhet të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të shpëtuar këtë kompani, si: reduktimi i çfarëdo shpenzimi të tepërt, ulja e shpenzimeve që nuk kanë bazë të mirëfilltë biznesore dhe, njëkohësisht, edhe ulja e pagave”, tha Haradinaj.

“Nëse nevojitet 10 për qind ulje e pagave të punëtorëve dhe 20 për menaxhmentin e lartë që të mbijetojë kjo kompani, nëse me planin biznesor kompania ofron më pas profit, atëherë mund t’i rritin pagat, por në këtë rast duhet të shpëtohet kompania”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Ulja e pagave të punëtorëve po kundërshtohet nga Sindikata e Postë-Telekomit të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Lahim Balaj, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk duhet të cenohet mirëqenia e punëtorëve, për, siç thuhet, daljen nga kriza të Telekomit të Kosovës.

Ai tha se duke ulur pagat e rreth 2.300 punëtorëve, sa i ka Telekomi i Kosovës, nuk mund të shpëtohet nga kriza financiare në të cilën po kalon kompania.

“Nuk është faji i punëtorëve që ka ardhur në këtë gjendje Telekomi i Kosovës. Këtu janë shumë faktorë që është dashur të merren parasysh, siç është keqmenaxhimi dhe kontratat e dëmshme të bëra para se të merren me punëtorët. Tani askush nuk po merret me ato gjëra që sollën në krizë Telekomin, por po tentohet të merren me punëtorët dhe ato mjete të zhvatura të mbulohen me mjete të punëtorëve. Për neve kjo është e papranueshme”, tha Balaj.

Ekspertë të ekonomisë thonë se Telekomi i Kosovës është duke falimentuar si pasojë e keqmenaxhimit.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, tha për Radion Evropa e Lirë se janë shumë probleme që e kanë përcjellë ndërmarrjen gjatë viteve. Sipas tij, të gjitha këto procese të keqmenaxhuara duhet të rishikohen dhe Telekomi i Kosovës duhet të rimëkëmbet.

“Kjo është një situatë të cilën askush nuk e ka pritur. Të gjithë e kemi konsideruar Postën si një shtyllë të rëndësishme të ekonomisë së Kosovës. Tani Posta duhet të ketë një program të ristrukturimit të vet, duhet të ketë Bordin nga profesionistë e jo nga politikanë. Posta duhet ta fuqizojë menaxhmentin e vet, i cili duhet të kuptojë konkurrencën në tregun e këtyre shërbimeve dhe, në një periudhë dy ose tre vjeçare, të rimëkëmbet”, tha Sadiku.

Javë më parë Qeveria e Kosovës e ka fituar betejën ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit kundër kompanisë “Axos-Capital”, e cila kërkonte qindra miliona euro dëmshpërblim për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kompania “Axos – Capital” e kishte paditur Qeverinë e Kosovës, për, siç thuhej, moszbatimin e kontratës për privatizimin e tri të katërtave të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës kishte shpallur kompaninë “Axos – Capital” fituese të tenderit për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, për 277 milionë euro.

Vlerësohet se vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit do ta lehtësojë punën për shpëtimin e Telekomit të Kosovës nga falimentimi. Qeveria e Kosovës planifikon që procesi i privatizimit të Telekomit të fillojë pas dy vjetësh.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)

Comment

*