Tenori Saimir Pirgu flet për rrugëtimin e tij artistik

Tenori shqiptar Saimir Pirgu ka bërë emër me interpretimet e tij në operat kryesore të botës. Ai thotë se për të është e rëndësishme të ruajë nivelin artistik, si dhe ta pasurojë repertorin e krijuar në vite. Saimir Pirgu ishte këto ditë në studiot e Zërit të Amerikës në Uashington. Me të bisedoi kolegia Laura Konda:

Tenori i njohur shqiptar Saimir Pirgu ka një dekadë e gjysëm që e ka nisur rrugëtimin e tij në artin operistik. Falë aftësive të veçanta vokale, sot ai ka një repertor mjaft të larmishëm: ka interpretuar në rolet kryesore të shumë operave. …Por ai thotë se dëshiron ta pasurojë më tej repertorin.

​“…Tani unë jam bërë më shumë se një dekadë e gjysëm që po këndoj; këndoj role të repertorit lirik, si Alfredo, Lucia, Boheme, dhe avash avash këto vite kam menduar që ta ndryshoj pak repertorin, duke u fokusuar më tepër tek ai francez, si dhe tek repertori serioz italian, si: Ballo di Maschera, Hoffman, Boheme mbeten ndër rolet më të preferuara dhe mendoj t’i mbaj për disa kohë. Por janë edhe rolet e mija në operat Karmen, apo Faust, që po bëhen pjesë e repertorit tim nga dita në ditë.”

Saimiri ka interpretuar në operat më prestigjioze të Europës, Amerikës e Azisë.

Laura Konda: Siç thatë dhe ju, keni arritur një lloj pjekurie në interpretimin e operave. A jua shton kjo përgjegjësinë për të ardhmen?

Saimir Pirgu: Të them të vërtetën, po, sepse unë nuk jam krijues; duke mos qenë krijues, nuk prodhoj absolutisht asgjë të re. E reja është gjithmonë nga një rol tek tjetri dhe shpeshsherë përgjegjësia e rolit nuk varet tek unë, por nga regjisori, apo nga dirigjenti; edhe suksesi i shfaqjes është një bashkëpunim i tërë trupës ku luaj unë, mund të ndodhem në Itali, në Washington, apo kudoqoftë… Por që kjo gjë shton edhe përgjegjësinë që të jem mes njerëzve të rinj; ti je ai personi që këndon prej vitesh dhe duhet gjithmonë që ta mbash veten në atë nivel, që si publiku, kolegët, por edhe ata që më ftojnë, kanë gjithmonë një pritshmëri… Kështu që kjo nuk është diçka e lehtë…

Laura Konda: Pra, duhet të punoni fort për ta ruatjur këtë nivel që keni?

Saimir Pirgu: Duket shumë e thjeshtë, sikur nuk ke bërë gjë, vetëm ke qenë atje, por në të vërtetë, prapa këtyre udhëtimeve dhe shfaqjeve ku unë jam, ka një punë, mund të them, si ajo e një mjeshtri që merret me orat Rolex, dmth deri në imtësitë më të vogla.

Për një artist të nivelit botëror si Saimiri, që është vazhdimisht në udhëtim për të dhënë koncerte, mund të thuhet se shtëpia e tij është skena, qoftë ajo në Evropë, Amerikë, apo Azi. Megjithatë, Saimiri thotë se kur interpreton para publikut shqiptar, ai provon emocione të veçanta. Kjo ndjenjë e bën atë të rikthehet me kënaqësi për të interpretuar në Shqipëri.

“Me kënaqësi të madhe, sa herë që kam ftesën nga Shqipëria. Kur të ftojnë në atdheun tënd, janë edhe përgatitjet mendore, edhe ato të zemrës… zemra fillon të rrahë fort kur është fjala për Shqipërinë, sepse sido që të jetë, është vendi yt, publiku jot, që nuk ka për të të refuzuar kurrë. E kam pak të vështirë të kthehem shumë shpesh dhe për fat të keq, kam anuluar disa koncerte vitin që shkoi, për arsye shëndetësore; isha i sëmurë në Japoni, dhe nuk arrita dot të shkoj, kështuqë i jam borxhli publikur shqiptar, të paktën me disa shfaqje; por me siguri, me shumë kënaqësi, unë kthehem në Shqipëri sa herë që marr një ftesë.”

Laura Konda: Shqipëria është një vend me probleme të skajshme politike, a mendoni që opera mund të luajë një rol në zbutjen e kësaj situate?

Saimir Pirgu: Shumë pozitiv, sepse njerëzi e mbajnë veten të fiksuar me jetën e përditshme, sidomos atë politike. Nuk ka nevojë që populli të dijë kaq shumë për politikën. Mendoj se nuk ka nevojë që një popull të jetë kaq prezent në jetën politike, ashtu sikurse edhe politika nuk ka aq shumë nevojë ta mbajë interesin e vet në këtë aspekt. Do t’i bënte shumë mirë më tepër arti jetës shoqërore shqiptare…

Saimiri sapo është kthyer nga Bangkoku, ku ka interpretuar për herë të parë rolin e Don Zhozes në operan Karmen; më pas ai interpretoi në teatrin Champs Elysee në Paris, ku është kthyer sërish me operan Traviata, me një produksion të ri. Vitin e ri ai do ta fillojë me operan e Giuseppe Verdit “Un ballo di maschera” “Një ballo me maska”, në “Teatro Regio di Parma”.

Saimir Pirgu: Në SHBA vij në muajin shkurt, në Chicago Symphony dhe në sezonin tjetër 2020-21, në Metropolitan Opera të Los Anxhelosit…

…Dhe kështu, tenori Saimir Pirgu vijon udhëtimin e tij nga njëri kontinent në tjetrin, duke interpretuar në skenat e operave më të njohura të botës.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*