Tërheqje…

Astrit Lulushi

Tërheqja nga frika është e kushtueshme. Eshtë si një nga ato fitoret e Pirros, që të lënë thjesht të jetosh. Kështu skllaveria ka arritur të rrojë me mijëra vjet, dhe të vazhdojë të rishfaqet e ricikluar. Kush terhiqet nga frika, ndrydhje, burg, izolim preferon në shkembim te lirise; edhe pa pranga ta lënë, s’guxon as të mendojë; liria për ‘të është botë e paarritëshme; ndjehet fajtor kur provon gëzim, e fsheh.

Mendimi duhet të jetë i vetmi motivim, e vetmja shtytje për njeriun në jetë, përndryshe çdo gjë që kryhet është hipokrizi, shfaqje apo pretendim për standarde ose besime morale me të cilat sjellja nuk përputhet. Hipokrizia është akt, hipokriti aktor, i cili i përshtatet rolit që luan; hipokrit nga një greqishte e vjetër për të treguar njeriun që është në sy të publikut ose nën vëzhgimin e tij, si aktori në skenë.

I zhgënjyer është personi i trishtuar apo i pakënaqur për shkak se dikush ose diçka nuk ka arritur të përmbushë shpresat apo pritshmërinë e tij.
“Jam i zhgënjyer me ty!”, kjo shprehje përdoret kur njeriu ndryshon karakter, shenjë e tij dalluese, si emri, flamuri a kombi.

Nëse paraja nuk bëhet shërbyesi yt, do të bëhet zot i yt. Njeriu nuk mund të thotë se është i pasur nëse është skllav i parasë. Morali është të njohësh midis asaj që ke të drejtë të bësh dhe asaj që duhet të bësh.

Dikur një tiran dëshironte që vasalët e tij të kishin vetëm një qafë të përbashkët që ai mund t’i mbyste të gjithë në të njëjtën kohë. Në kohët moderne gjithçka që i duhet të bëjë një tiran është t’i “edukojë njerëzit” që ata të kenë një mendje të përbashkët.

Comment

*