Terroristët në Spanjë kishin plane për një sulm shumë më të madh

Në Spanjë, njëri nga të dyshuarit të arrestuar lidhur me sulmin vdekjeprurës të javës së kaluar në Barcelonë tha sot përpara gjykatës së lartë se grupi kishte planifikuar një sulm shumë më të madh me eksplozivë.

Mohamed Houli Chemlal, i cili u arrestua pasi u plagos gjatë një shpërthimi në jugperëndim të Barcelonës një ditë para sulmit me furgon, ishte i pari nga katër të dyshuarit që dëshmuan sot, një ditë pasi policia vrau njeriun që ata thonë se ishte shoferi i furgonit.

Autoritetet thonë se një celulë terroriste prej 12 vetësh qëndronte pas sulmit dhe se tetë nga të dyshuarit ose u vranë nga policia ose vdiqën në një shpërthim aksidental në objektin ku montonin bomba një ditë përpara sulmit.

Kërkimi masiv për të dyshuarin e fundit, Junes Abujakub përfundoi dje në një zonë rurale vreshtash rreth 45 kilometra në perëndim të Barcelonës. Autoritetet thonë se ata e vranë personin pasi ai kishte në trup një objekt që dukej si një brez me lëndë shpërthyese dhe që më vonë ata zbuluan se ishte i rremë. (VOA)

Comment

*