Testamenti i traditës politike

Florim Canolli

Kur po afrohet koha kur Kosova si shtet i bën një dekadë, bëhen po ashtu 12 vite nga vdekja e udhëheqësit historik që formësoi idenë e Kosovës si shtet i pavarur, Presidentit Rugova.

Përmendja dhe përdorimi i emrit të tij, si në kohë zgjedhjesh, ashtu dhe në kohë përkujtimesh, edhe pse ende është i natyrshëm për rrethanat e ditëve tona, duket pak i bezdisshëm në përmasat që shfaqet. I natyrshëm është sepse ende vazhdojmë të ballafaqohemi me realitetin historik që ishte prezent për të gjallë të Rugovës, sidomos dykahësinë e politikës dhe kulturës. I bezdisshëm sepse tregon mungesën, jo aq të Rugovës sa të një botëkuptimi institucional, impersonal të traditës së tij politike. Posaçërisht, termi që shpesh provokon cinizëm prej kundërshtarëve politikë të drejtpërdrejtë ose të heshtur të Lidhjes Demokratike është “fryma rugoviane” e që nganjëherë i mvishet edhe një izëm mbrapa, rugovizmi. Botëkuptimi i kundërshtarëve të Lidhjes Demokratike është thellësisht i personalizuar. Në raste të caktuara aludohet se fryma rugoviane nuk ka kuptim, është retorikë e zbrazët që i atribuohet liderit të vdekur si formë kulti, e në raste të tjera aludohet se kjo frymë ka vdekur bashkë me Rugovën. E shumë pasues të Lidhjes Demokratike e kanë botëkuptimin pothuajse të njëjtë me atë të kundërshtarëve të tyre, me ose pa vetëdije. Ata e vazhdojnë përmendjen e Rugovës dhe frymës rugoviane, shpesh për hir të shprehisë për përsëritje dhe forcës së zakonit, e shpesh e më shpesh edhe duke mos e kuptuar mirë dhe kështu duke e ambalazhuar veprimin e tyre politik të çfarëdoshëm me një markë apo brend që e konsiderojnë të shitshëm për audiencën e tyre.

Në anën tjetër, nëse shikohet me kujdes, për Rugovën vështirë të thuhet se ka pasur një ideologji ose “filozofi politike” të dallueshme që e ka shprehur në mënyrë sistematike, nëpërmjet shkrimeve autoriale politike, deklaratave politike të hollësishme dhe veprimeve politike që përcjellin vijimësinë e nevojshme për identifikimin e një ideologjie ose filozofie politike të tillë. Veprimin e tij e karakterizon konsistenca e sjelljes joideologjike, e bazuar në ruajtjen e vizionit dhe qëllimeve afatgjata, dhe një natyrë inkremenale, hap pas hapi, që nga pikënisja, që është momenti i artikulimit politik të aspiratave të atyre që përfaqësonte, popullit të Kosovës, e deri te arritja e synimit madhor, përmbushjes pra të vizionit politik, përkatësisht pavarësisë së Kosovës, krejt kjo pa pasur plan paraprak me anë të cilit përcaktohen hapat e renditur në mënyrë të hollësishme deri në arritjen e këtij qëllimi. E nga ajo që Rugova shpesh deklaronte, sidomos kur e krahasonte organizimin politik me atë të familjes organike, vërehet se ai ka pasur në mendje një variant autentik të konservatorizmit, që kombin e sheh si tërësi organike dhe politikën në funksion të kombit si një organizëm i tërë e që përbëhet nga pjesët e veta organike. Këto pjesë organike të kombit janë natyrale, jo manifestime të dallimeve sociale universale të cilat zënë vend edhe këtu në mesin tonë si çdo kund tjetër, por, si diversitet i cili ka burimin te origjina dhe historia e veçantë e popullit të këtij vendi, e që i nënshtrohet ligjësive universale të cilat formësojnë sjelljen e tij. Ky mendim vërehet edhe në kuadër të veprimit politik të Rugovës, veçanërisht faktit që ai ka qëndruar përmbi prirjet fraksionaliste politike dhe në vazhdimësi, në kuadër të diskursit të vet politik, do të promovonte politika që vënë në dukje tërësinë kundrejt pjesës, traditën diverse e të përbashkët kundrejt ideologjive të veçanta, kulturën autentike kundrejt kulturave të importuara, e këto të fundit të importuara në emër të universalizmit.

Prandaj është qartë dhe e dukshme se Rugova është udhëheqësi politik më autentik shqiptar i kohës së vet. Modeli i veprimit të tij politik është origjinal, jo i importuar apo i kopjuar. Përngjasimi me veprimet e tjera politike në botë është i natyrshëm. Mirëpo, autenticiteti nuk matet me përngjasimin me disa aspekte të veçanta të sjelljes politike, ose me simbolika përfaqësuese, por me fuqinë shtytëse të veprimit politik. Në rastet kur shtysë kryesore është ideologjia, veprimi politik është peng i qëllimit ideologjik që synon arritjen me çdo kusht të rezultatit, përkatësisht produktit ideologjik. Sjellja politike e bazuar në ideologji, përveç që nuk është autentike, mund të ruaj një konsistencë aparente, që prej fillimit e deri në fund, por në esencë manifeston renditje mekanike të veprimeve politike, të cilat shpesh, në mënyrë spektakulare, kanë prodhuar rezultate politike befasuese, të kundërta me qëllimin e deklaruar. Kjo sepse ideologjia nuk i respekton forcat e brendshme që qëndrojnë prapa sjelljes së një populli, por premisat e veta intelektuale, prandaj kur zhvendoset nga laboratori intelektual në politikë, dhunshëm imponohet mbi natyrën. Kur veprimi politik është autentik, shtytja është e brendshme dhe organike dhe pavarësisht se informohet nga përvojat e ndërveprimit edhe me ideologjitë, ajo i qet në dritë cilësitë e karakterit të njësisë organike që e bën veprimin politik. Në rastin tonë, njësia organike është populli i Kosovës, prandaj sjellja politike e Rugovës është sjellje politike autentike e popullit të Kosovës. E sjellja e tillë politike është plotësisht organike, sepse zhvillohet sikurse pema, që rritet nga rrënjët e deri te frytat. Mund të devijohet, mund edhe të shtrembërohet, por ruan prirjen për rritje në drejtim të dritës.

Fryma rugoviane, siç quhet, është frymë e konservatorizmit me bazë organike. Konservatorizmi nuk synon rezultate dhe produkte të veçanta politike, por ndjek prirjet politike të njësisë që përfaqëson. Konservatorizmi nuk është ideologji politike, sistem idesh e konceptesh që aplikohen dhe që synim kanë të krijojnë një sistem të ri politik apo të riformësojnë atë aktual. Konservatorizmi me bazë organike ndjek një konstantë të përhershme: përfaqësimin dhe udhëzimin e kujdesshëm të popullit në cilëndo rrethanë që vjen, në cilindo rast historik. Në rastin e Rugovës, përfaqësimi ishte simbolik, pa pushtet real, udhëzimi ishte moral, e rezultatet u arritën duke promovuar prirjen, përkatësisht frymën. E fryma ishte liria, pavarësia dhe demokracia. Për të arritur lirinë, u promovua refuzimi ndaj dhunës, refuzimi për t’u ndeshur në fushën e lojës të cilën e kishte përgatitur kundërshtari historik, në rastin tonë shteti i Serbisë. Liria u promovua duke shmangur kundërveprimin e dhunshëm si reaksion ndaj dhunës, prandaj sjellja politike e Kosovës e përfaqësuar nga Rugova gjatë viteve ’90 ishte manifestim i synimit të brendshëm, paqësor, e jo reagim ndaj synimeve të dhunshme të Serbisë. Pavarësia u promovua duke zhvilluar partneritetin me fuqitë më të mëdha botërore demokratike, të cilat synonin zgjerimin e demokracisë edhe në këtë pjesë të botës. Sponsorizimi perëndimor për pavarësinë e Kosovës ka ndodhur për shkak të besimit të Perëndimit se populli i Kosovës mund të integrohet si vend i lirë dhe demokratik në kuadër të kombeve të lira. Fryma demokratike u promovua nëpërmjet pluralizmit të brendshëm të Lidhjes Demokratike, në formë të përfaqësimit horizontal, me degë e nëndegë, nga e gjithë Kosova, çka garantoi shpërqendrimin e pushtetit, dhe në formë të pluralizmit brenda Kosovës, duke iu mundësuar edhe partive të vogla dhe pa peshë politike që të përfaqësoheshin në strukturat e përbashkëta qeverisëse. Në këtë frymë, partitë më të vogla, të cilat përfaqësojnë fraksione të papërfillshme, gjatë veprimit politik të vonshëm të Rugovës, morën pozita të rëndësishme ekzekutive, të cilat, si dëm anësor i këtij veprimi, mbajtësit e këtyre pozitave edhe sot e kësaj dite i mbajnë në lajthitje dhe ekzaltim antihistorik.

Fryma rugoviane, apo konservatorizmi organik ka qenë katalizatori kryesor i veprimit politik të Rugovës, por frymën nuk e krijoi i vetëm Rugova, ajo ka qenë reaksion natyror i popullit të Kosovës, i përfaqësuar nga një pari intelektuale, e cila e përçoi dhe formësoi më tutje sjelljen politike brenda kornizave institucionale e formale. Rugova ishte ai që i dha karakterin përfundimtar, i dha markën apo brendin kësaj fryme. Paria e cila themeloi Lidhjen Demokratike, një pjesë e madhe e saj, me kalimin e kohës do t’i kthehej agjendës fraksionale, përkatësisht përfaqësimit të bazuar në fraksione politike. Kjo është lehtë e vërtetueshme: disa prej tyre do të bëhen pjesë e partive politike që do të themelohen nga kundërshtarët e Lidhjes Demokratike, disa do të largohen nga politika për t’u bërë pjesë e “shoqërisë civile” dhe nga aty do të promovojnë interesa e aspirata thellësisht fraksionale, e disa do të vazhdojnë veprimin brenda Lidhjes Demokratike duke tentuar që frymën e vet fraksionale ta shndërrojnë në frymë të partisë. Këta të fundit kanë pasur potencialin më të madh për ta dëmtuar Lidhjen Demokratike, e megjithatë kundrejt tyre vepron natyrshëm tradita politike dhe struktura organizative që e mbështet dhe mbështetet në atë traditë dhe që ua pamundëson shndërrimin e LDK-së në parti-fraksion. Një organizim i tillë i përngjason organizmit të gjallë: viruset luftohen nëpërmjet forcimit të imunitetit, ekzistencës së antitrupave dhe nëpërmjet mbajtjes së trupit në gjendje të shëndoshë. Jo nëpërmjet kontrollit të komanduar bionik – i atillë që në mënyrë analogjike vepron te partitë ideologjike apo partitë oligarkike e mos të flasim për partitë legjione.

Lidhja e traditës konservatore me veprën e Rugovës vërehet edhe nëpërmjet mënyrës së veprimit të tij politik, mjeteve që përdorte. Ajo çfarë e karakterizonte veçanërisht Rugovën si udhëheqës është se ai nuk arriti asnjëherë të kishte pushtet real ekzekutiv, e megjithatë arriti të kishte ndikimin më të madh nga çdo udhëheqës tjetër mbi fatin e Kosovës. Sot shumëkush që drejton ndonjë parti politike por edhe vetë Kosovën, kontrollon burime të jashtëzakonshme financiare, njerëzore dhe madje aparate të dhunës. Por, asnjëra nga këto nuk ja jep sigurinë minimale për të ardhmen e vet politike, e madje edhe personale. Rritja e autoritetit të këtyre zaptuesve të jetës politike, nuk ka ardhur nëpërmjet përfaqësimit demokratik, por nëpërmjet pushtimit e blerjes së elektoratit, qoftë me klientelizëm, qoftë me ideologji. Rugova, në kohën e tij, kurrë nuk kontrollonte një armatë pasuesish fanatikë, të gatshëm për të vrarë, kërcënuar ose për të linçuar, as një rreth biznesesh të gatshëm për të blerë e paguar. Kishte pasues me besim dhe vullnet të jashtëzakonshëm, të cilët frymëzoheshin nga ai, prandaj edhe njihet fryma rugoviane, sepse frymëzonte. Rugova e bëri atë që historikisht e ka karakterizuar çdo udhëheqës të suksesshëm. E përdori frymën e krijuar si katalizator për ta formësuar një narrativ apo rrëfim mbi Kosovën dhe e mbajti autoritetin e tij duke ruajtur fuqinë interpretuese mbi këtë narrativ. Ai nuk kishte kontroll mbi ngjarjet e veçanta politike, por, arriti t’i jepte drejtim vendit me anë të këtij narrativi, të cilin e kishte mjetin kryesor për komunikim me popullin. Rrëfimi mundëson komunikimin, interpretimin e pse jo edhe riinterpretimin, e, në rrethana historike madje edhe mobilizimin dhe masivizimin e përkrahjes. Rrëfimi i Rugovës ishte i thjeshtë: Kosova ka qenë historikisht pjesë e botës shqiptare, por me identitet të vet të dallueshëm që shkon deri në Antikitet dhe me rrënjë të qarta perëndimore. E ardhmja e saj do të jetë si pjesë e Perëndimit, por, me kompromis historik, nuk do të bashkohet me Shqipërinë prandaj do të jetë e pavarur. E këtij rrëfimi i shtohet edhe pjesa herë e thënë e herë e pathënë: kompromisi historik është domosdoshmëri për kohën, por, rrëfimi mund të pasurohet më tutje me integrim ndërshqiptar deri në bashkim të plotë. Sot rrëfimi i Kosovës është rrëfim i Rugovës, shteti i Kosovës është shtet i krijuar sipas vizionit të Rugovës, ani pse me të metat e veta funksionale që ndonjëherë e zbehin këtë rrëfim.

Rrëfimi mbi Kosovën dhe tradita politike e krijuar në Kosovë, përkatësisht tradita politike e konservatorizmit me bazë organike, e personifikuar me veprimin politik të Rugovës, e ka tejkaluar tashmë nismëtarin e saj dhe është institucionalizuar në Lidhjen Demokratike. Është e domosdoshme prandaj që të njihet fryma rugoviane si e tillë që është, pra si konservatorizëm me karakter thellësisht organik. Sidomos tani kur tentohet që të përvetësohet tradita konservatore nga partia që deri më tani ka luajtur rolin e kundërshtarit historik të LDK-së, përkatësisht Partia Demokratike të Kosovës. Kjo parti e ka gjenezën te grupe të vogla marksiste të cilat, pasi pushtuan dhe blenë elektoratin e pasluftës, e adoptuan një agjendë në dukje të “djathtë”, po që në fakt është thjesht ambalazh i dobët për interesat personale dhe grupore të ngushta, e realisht nuk mund të konsiderohet se përfaqëson as një fraksion politik të mirëfilltë, për shkak të natyrës së saj oligarkike dhe korporative. Përvetësimi i brendit “konservator” synohet të bëhet në mënyrë mekanike, duke zhvilluar një program konservator, duke bërë disa workshopa e seminare, duke angazhuar konsulentë dhe duke promovuar sllogane konservatore. Madje, mund të themi edhe se po tentohet të abonohet në traditën konservatore, njëjtë sikurse abonohemi në produkte, nëpërmjet parapagimit. Këto përpjekje janë aq joserioze, sa edhe qesharake, dhe tregojnë, përveç mediokritetit të nismëtarëve të kësaj ideje, se ata nuk kanë fare traditë institucionale, nuk kanë ideologji, nuk kanë asgjë që nuk identifikohet me emër personal përveç disa të bëmave shpesh të dyshimta dhe misterioze. Gjithçka që kanë janë burimet e mëdha financiare dhe njerëzore, andaj tash ngarendin pas përpjekjes për të tenderuar një brend të tyre të ri. Natyrisht se do të dështojnë mjerueshëm, deri në atë masë sa kjo përpjekje do të mbahet mend si një ëndërr e trishtuar për ta dhe komike për audiencën. Ndjekësit e mirëfilltë të traditës konservatore e kuptojnë fare mirë frymën konservatore në çdo cep të botës, pa pasur nevojë për analiza e statistika, metoda e sisteme, seminare e workshopa. Ajo vërehet por edhe ndihet e përjetohet nëpërmjet stilit të shprehjes, nëpërmjet përzgjedhjes së kujdesshme të fjalëve e frazave, nëpërmjet referencave ndaj traditës e kulturës, nëpërmjet kujdesit e kultivimit të imazhit.

Tradita politike e Kosovës është çelësi për të ardhmen politike. Lidhja Demokratike e ka të sigurt të ardhmen e vet pikërisht për shkak të kësaj tradite, sepse tradita e Kosovës është tradita e LDK-së. LDK megjithatë, herë pas herë do të nxitet, e mund edhe të tundohet që të hedh poshtë referencat e veta ndaj traditës së vet politike me qëllim të “modernizimit” dhe “rinimit”, me figura të reja, me sllogane të reja, me politika të reja. Por, ripërtëritja e modernizimi bëhet aty ku ka traditë, dhe bëhet në mënyrë organike. Ripërtëritja nuk bëhet nëpërmjet bashkimit mekanik me “prurjet” të cilët shpesh trajtohen si objekte-asete të gjalla. Ajo bëhet nëpërmjet konsolidimit gradual, organik, duke rritur përfaqësimin e elektoratit edhe me figura të reja, por që mund të përfaqësojnë aspirata po aq të vjetra sa edhe vetë partia, e pse jo edhe vetë populli. Në anën tjetër, fryma rugoviane nuk është pengesë për modernizim, por është frymë e cila jep frymëzim dhe hapësirë për ripërtëritje të vazhdueshme, pikërisht për shkak të natyrës së saj inkluzive, plurale dhe liberale. Lidhja Demokratike tashmë e ka fare të qartë testamentin e traditës së vet politike.

Comment

*