Thaçi: BE do të bëhet i plotë me vendet e Ballkanit Perëndimor

Prishtinë, 16 prill 2018 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka pritur Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe vendeve të Evropës Juglindore.

Thaçi ka thënë se me kryeministrin Borisov, i cili e përfaqëson Bullgarinë dhe Bashkimin Evropian ka folur për marrëdhëniet dypalëshe dhe për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm atëherë kur Kosova dhe e tërë Evropa Juglindore të jenë pjesë e tij. Kjo nënkupton jo vetëm paqe e stabilitet, por edhe ngritje të mirëqenies së gjithmbarshme”, ka thënë ai.

Thaçi ka folur edhe për strategjinë e re të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku është ritheksuar perspektiva e të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ai e ka falënderuar kryeministrin bullgar për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Bullgarisë, si kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së, e cila ka vënë ndër prioritetet integrimin e vendeve të rajonit në BE.

Thaçi ka thënë se Samiti i Sofjes do të jetë një mundësi e mirë për afrimin e rajonit me BE-në.

Presidenti i Kosovës ka folur edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se Kosova kërkon dialogun me Serbinë ta kthejë në dialog për pajtim dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Ndërsa, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, ka thënë se ndërtimi i paqes dhe stabilitetit është në dobi të të gjitha palëve në rajon dhe ka theksuar se gjthë rajoni e ka vendin në Bashkimin Evropian.

“Bashkimi Evropian është i hapur për vendet e Evropës Juglindore. Sigurisht, këto vende duhet të plotësojnë kushtet që ka vënë BE-ja për anëtarësim”, është shprehur kryeministri Borissov.

Duke folur për zhvillimin e rajonit, Borisov  ka theksuar nevojën për përmirësimin e infrastrukturës që i lidh vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe me tërë kontinentin.

“Duke ndërtuar infrastrukturën, ndihmojmë zhvillimin dhe paqen në rajon”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi e ka dekoruar kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, me Medaljen Presidenciale të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, përmes së cilës shpreh mirënjophje për mbështetjen që ka dhënë Bullgaria për Kosovën dhe për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve. (r.m.)

Comment

*