Thaçi: Demarkimi me Malin e Zi tani është çështje vetëm e Kosovës

Uashington, 13 shtator 2017 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë në Uashington, ka folur për çështjen e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të cilën ai e ka nënshkruar në vitin 2015.

Thaçi nuk e ka komentuar direkt përpjekjet e kryeministrit Ramush Haradinaj për ndryshimin e versionit aktual të marrëveshjes, por ka theksuar se Demarkacioni me Malin e Zi tani është vetëm çështje e Kosovës.

“Çështja e Demarkacionit nuk është më çështje ndërshtetërorë Kosovë – Mali i Zi. Më tepër është çështje e vetë kosovarëve, që duhet të marrin vendimin  e tyre në parlament”, është shprehur Thaçi, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Thaçi ka përsëritur se për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës duhet të plotësohen kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian, njëri prej të cilave është edhe Demarkacioni me Malin e Zi.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e ka kundërshtuar ashpër versionin aktual të Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, kur ishte në opozitë, e ka shkarkuar Komisionin shtetëror për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit të Kosovës, i cili kishte punuar në shënimin e kufirit me Malin e Zi. (r.m.)

Comment

*