Thaçi: Dialogu pa komponentën e njohjes së ndërsjellë është i dështuar

Prishtinë, 2 nëntor 2020 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë kuptim vetëm nëse në tryezën e diskutimeve hidhet çështja e njohjes së ndërsjellë, në të kundërtën, tha ai, ato janë proces i dështuar.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, pas nderimit që u bëri dy heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu me rastin e 31-vjetorit të rënies së tyre në një përleshje me policinë serbe.

“Ky dialog ka vetëm një kuptim nëse propozimi për njohje reciproke hidhet në tavolinë, përndryshe, është krejt i pakuptimtë, krejt i panevojshëm dhe është i dështuar dhe është në favor të Serbisë, si i tillë që po zhvillohet”, tha presidenti Thaçi.

Kritika ndaj bisedimeve aktuale të lehtësuara nga Bashkimi Evropian kanë shprehur edhe udhëheqës të partive politike në Kosovë të cilët po kundërshtojnë siç thonë, rrëshqitjen e bisedimeve drejt temave tashmë të mbyllura.

Javën e kaluar, grupet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel për të diskutuar çështjet që lidhen me kërkesat financiare dhe të pronës. Por, edhe kësaj radhe takimi përfundoi pa ndonjë përparim.

Pala serbe po kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova e quan tashmë çështje të mbyllur.

Autoritetet më të larta të Serbisë, presidenti Aleksandër Vuçiq, kryeministrja Ana Bërnabiq dhe kryetari i parlamentit, Ivica Daçiq, u mblodhën të hënën në Beograd, në një mbledhje që u quajt e jashtëzakonshme, për të diskutuar pos tjerash edhe lidhur me Kosovën.

Presidenti serb, tha në një konference me gazetarë pas takimit se Asociacioni i komunave më shumicë serbe është një detyrim i pakushtëzuar i marrëveshjes së Brukselit dhe sipas tij institucionet e Prishtinës janë zotuar tas themelojnë atë asociacion pa ndonjë kusht. Ai tha se shqiptarët nuk duan një zgjidhje kompromisi dhe e vetmja gjë për të cilën po flasin është njohja e ndërsjellë, që për Serbinë, sipas tij, është e pakuptimtë.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Në vizitën e fundit të tij në Kosovë dhe Serbi, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh ndërmjet të dyja palëve pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por edhe zyrtarët evropianë kanë hedhur poshtë çdo mundësi që asociacioni të ketë përgjegjësi ekzekutive.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*