Thaçi: Do ta shtroj kërkesën e shqiptarëve që Lugina t’i bashkohet Kosovës

Prishtinë, 3 gusht 2018 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar edhe sot një konferencë për medie, për të shpjeguar pikëpamjet dhe qëndrimin e tij mbi atë që ai e quan “korrigjim” të vijës së kufirit me Serbinë.

Edhe sot ai ka përsëritur se beson që korrigjimi i kufirit do ta ketë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, nëse Kosova dhe Serbia e përfshijnë këtë çështje në marrëveshjen finale për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, në kuadër të Dialogut të Brukselit.

Thaçi ka thënë se do të angazhohet fuqimisht për jetësimin e vullnetit politik të shqiptarëve të Luginës që t’i bashkohen Kosovës. Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe të gjitha forcave politike të Kosovës që të japin kontributin e tyre për këtë “mundësi historike”.

“Institucionet tona nuk guxojnë t’i mbyllin sytë dhe ta injorojnë një mundësi të tillë historike dhe të papërsëritshme. Duhet të bashkohemi dhe t’i themi po kësaj kërkese krejt racionale, të drejtë dhe historike, e cila ka mundësi të realizohet krejtësisht në mënyrë paqësore”, ka thënë Thaçi.

“Unë jam i sigurt se përgjatë këtyre përpjekjeve të përbashkëta politike në kuadër të dialogut paqësor, do të bashkëngjiten edhe ata që sot hapur më kritikojnë edhe mua, edhe kauzën time për korrigjimin e kufirit me Serbinë që në mënyrë paqësore t’u mundësohet shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc realizimi i vullnetit të tyre politik, që fundja nënkupton realizimin e ëndrrës dhe përpjekjeve të tyre shekullore”, ka shtuar a.

Megjithkëtë, Thaçi është shprehur skeptik se Beogradi do ta pranojë që në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, në Bruksel të shtrohet kërkesa e liderëve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që ky rajon i banuar me shumicë shqiptare të bëhet pjesë e Kosovës.

“Mundësitë janë krejt të vogla. Ka pak gjasa që Serbia të pajtohet apo aktualisht ka një refuzim kategorik. Mirëpo, unë jam zotuar se kërkesën legjitime dhe historike të qytetarëve të Preshevës, Medvegjes e Bujanocit do ta prezantoj në tavolinën e dialogut”, ka thënë Thaçi.

“Mund ta imagjinoj reagimin e Beogradit. Do të jetë një reagim kryeneç, i rëndë dhe kategorik refuzues”, ka theksuar ai. (r.m.)

Comment

*