Thaçi: Do t’i përgjigjem Gjykatës Speciale, nëse më fton

Prishtinë, 21 janar 2019 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesës eventuale të Zyrës së Prokurorit Special, në Hagë.

“Së pari dëshiroj t’i falënderoj komandantët për përgjigje pozitive. Çdo moment që vjen një ftesë e tillë edhe në adresën time, një kërkese të tillë do ti përgjigjem me transparencën e plotë”, ka thënë Thaçi, në një konferencë për media.

Thaçi ka qenë protagonist i akuzave të Dick Martit për krime të supozuara të ish-pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në vitin 2015 Thaçi u kishte bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votonin për ndryshimet kushtetuese që i kanë hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Kjo gjykatë do t’i hetojë krimet që supozohet të jenë kryer nga UÇK-ja. Në fillim të këtij viti, Zyra e Prokurorit Special nisur intervistimin e disa ish-komandantëve dhe ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (r.m.)

Comment

*