Thaçi e Haradinaj takohen me këshilltarin e Presidentit Trump

Uashington, 8 shkurt 2018 – Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka organizuar pritje për Presidentin dhe për Kryeministrin e Kosovës, në Washington.

Në këtë pritje, përveç kryeministrit e presidentit, kanë marrë pjesë edhe këshilltari për siguri kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump, Herbert Raymond McMaster, zëvendës ndihmës sekretarja amerikane, Laura Cooper, drejtori për Çështjet e Evropës Jugore e Qendrore, Matthew Palmer, etj.

Zyra e Kryeministrit njofton se, gjatë takimit, Haradinaj ka thënë që pavarësia e Kosovës është arritur bashkë me SHBA-në.

Haradinaj ka thënë se pavarësia e Kosovës është arritur në përpjekje të përbashkëta me SHBA-të dhe kjo e bën më të veçantë lidhjen mes dy popujve.

Ai ka theksuar se SHBA-të në krye të NATO-s e kanë shpëtuar jetët e qytetarëve të Kosovës.

“Është kjo një miqësi e posaçme dhe për këtë jemi krenarë”, citohet Haradinaj.

Ndërsa Herbert Raymond McMaster, këshilltar i Presidentit Trump, e ka siguruar palën kosovare se Amerika do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt forcimit të shtetit. (r.m.)

Comment

*