Thaçi e Mustafa e ngushëllojnë familjen Demolli

Prishtinë, 6 mars 2017 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Kryeministri Isa Mustafa, i kanë përcjellë ngushëllime familjes Demolli, pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar të Kosovës, Arif Demolli.

Presidenti Thaçi e ka cilësuar vdekjen e Arif Demollit si humbje të madhe për letërsinë shqipe.

“Vdekja e shkrimtarit Arif Demolli është humbje për letërsinë shqipe të Kosovës. Si krijues i talentuar dhe i gjithanshëm, ai ka lënë një trashëgimi të pasur letrare e artistike. Familjes Demolli i shpreh ngushëllimet më të thella”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe Kryeministri Mustafa, po nëpërmjet një postimi në Facebook, e ka cilësuar vdekjen e demollit si humbje të madhe për letërsinë shqipe dhe për shtetin e Kosovës.

“Shumë e nderuara Familje Demolli.

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, shkrimtarit të shquar të Kosovës e mikut tim të dashur, Arif Demollit. Ndarja nga jeta e Arifit, është një humbje e madhe për familjen, për miqtë, për letërsinë shqipe dhe për shtetin e Kosovës.

Arifi, me veprën e tij letrare dhe veprimtarinë intelektuale, dha kontribut shumë të madh për zhvillimin e krijimtarisë artistike e letrare, si dhe të jetës arsimore e edukative në Kosovë. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm, si dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta përkujtojnë përherë jetën dhe veprën e Arif Demollit. Andaj, më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj të madhe.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Mustafa. (r.m.)

Comment

*