Thaçi fton shqiptarët e Luginës të votojnë për listën e përbashkët të partive shqiptare

Prishtinë, 20 qershor 2020 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginë të Preshevës që të dalin masivisht në zgjedhjet e 21 qershorit dhe të votojnë për listën e përbashkët të shqiptarëve.

Shqiptarët në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – vetëm të bashkuar, mund të mbrojnë të drejtat e tyre.

“Jam i lumtur që i gjithë spektri politik shqiptar në Luginën e Preshevës është bashkuar dhe në procesin zgjedhor atje po garojnë me Listën e Përbashkët të Shqiptarëve.

Të gjithë bashkëkombësve shqiptarë në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u bëj thirrje që të dalin masivisht në zgjedhjet e nesërme dhe të votojnë për platformën e unifikuar politike të partive shqiptare.

Duke qëndruar të bashkuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kombëtare, zëri i shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të dëgjohet kudo. Me vetëdije të lartë kombëtare dhe të bashkuar në përgjegjësi politike e forcojmë më shumë edhe kombin tonë“, ka shkruar Thaçi, në Facebook.

Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, pesë parti shqiptare nga Lugina e Preshevës do të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore.

Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike arritën marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë thënë se synojnë të fitojnë tri ulëse në Parlamentin e Serbisë. (r.m.)

Comment

*