Thaçi: Jemi lodhur me raporte, BE duhet të na trajtojë sikur të tjerët

Prishtinë, 17 prill 2018 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar mjaft ashpër pas publikimit të Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në një postim në Facebook. Thaçi ka shkruar se qytetarët e Kosovës “janë lodhur nga raportet e shumta” dhe ka theksuar se tani “është koha për diçka konkrete”. Ai ka kërkuar që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet “pa humbur kohë”.

“Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë”, ka shkruar Thaçi.

Ky është shkrimi i plotë i Thaçit:

Komisioni Evropian sapo publikoi raportin për Kosovën dhe pakon e zgjerimit. Më këtë rast, dua të theksoj se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave evropiane dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Tani, pa humbur kohë, të gjitha institucionet duhet të reflektojnë për përmbajtjen dhe të gjeturat e raportit, në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara. E përshëndes faktin që ky raport ka reflektuar pozitivisht rreth procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Prandaj, e konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë.

Kosova ka vullnet të mjaftueshëm politik për të intensifikuar hapat e saj drejt integrimit në BE. Përkushtimi i Kosovës për reformat, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë në njërën anë, dhe në anën tjetër rikonfirmimi i institucioneve të BE-së se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të ardhmen në BE, duhet që natyrshëm të kurorëzohet me hapin e radhës drejt integrimit evropian të Republikës së Kosovës, pra marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim. Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj evropiane dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet tjera të rajonit. Pavarësisht sa e komplikuar mund të jetë një gjë e tillë për BE-në, në mungesë të një perspektive të qartë, gjithçka tjetër mund të sjell komplikime dhe pasoja jo vetëm për Kosovën por edhe gjithë rajonin. HTH

(r.m.)

Comment

*