Thaçi kërkon trajtim të barabartë për Kosovën në BE

Sofje (Bullgari), 17 maj 2018 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij në Samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimot, ka kërkuar nga liderët evropianë trajtim të barabartë për Kosovën dhe liberalizim të vizave.

Thaçi ka folur në hapjen e punimeve të Seancës Plenare të Samitit, ku u trajtua tema “Fuqizimi i të gjitha dimensioneve të ndërlidhjes (socio-ekonomike, fizike, digjitale dhe njerëzore)”.

Ai e ka cilësuar si sukses të jashtëzakonshëm të Samitit të Sofjes synimin për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Ky samit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është një sukses i jashtëzakonshëm i përbashkët, por në veçanti i nikoqirëve tanë, presidencës bullgare. Suksesi i këtij samiti bazohet në ruajtjen e angazhimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, si dhe mbështetet në parimin e rëndësishëm sipas të cilit i gjithë Ballkani Perëndimor gëzon një perspektivë evropiane”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi e ka mbështetur deklaratën e përbashkët të vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

“Kam kënaqësinë që gjithashtu personalisht të konfirmoj mbështetjen e Kosovës për përmbajtjen e deklaratës së këtij samiti dhe të agjendës prioritare të Sofjes. Ne i mbështesim plotësisht parimet kyçe të bashkëpunimit të forcuar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojës për zgjidhje të qëndrueshme dhe të detyrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve, duke përfshirë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin. Më lejoni të theksoj nevojën për rregulla të barabarta të lojës tani që po lëvizim drejt zbatimit të mëtejshëm të temave që po diskutojmë në këtë samit, dhe në rastin e Kosovës kjo përfshin një përmbyllje të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për të cilin Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e kërkuara”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka bërë thirrje për heqjen e të gjitha barrierave që pengojnë afrimin e vendeve të rajonit.

“Nëse vërtet duam një ndikim të qëndrueshëm në afrimin e rajonit, kjo duhet të nënkuptojë edhe heqjen e barrierave të ndryshme të pranishme aktualisht”, ka thënë Thaçi.

Ai ka numëruar këtu njohjen e kualifikimeve, certifikatave dhe dokumenteve të tjera, uljen e kohës së pritjes në kufi, ndërveprimin në fushën e energjisë, sigurimin e lirisë së lëvizjes për njerëzit brenda rajonit duke hequr vizat, por edhe jetësimin e zotimeve të tjera të dhana nga vendet e rajonit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes disa postimeve në rrjetet sociale, ka njoftuar se në margjina të këtij samiti ka zhvilluar takime me komisionarin e BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, Presidentin e Serbisë, AleksandarVuçiq, dhe liderë të tjerë të vendeve të Bashkimit Evropian apo të shteteve të Ballkanit. (r.m.)

Comment

*