Thaçi: Kuvendi duhet t’ia ndalojë kryeministrit të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës

Prishtinë, 16 shtator 2020 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar edhe një herë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë kurrsesi që në tryezën e bisedimeve me Serbinë, në Bruksel, të shtrohet çështja e të drejtave të komuniteteve dhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zyra e Presidentit Thaçi, përmes një deklarate për medie, e cilësoi hapjen eventuale të këtyre temave si gabim të madh dhe shumë të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës dhe si ”goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit”.

”Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit”, thuhet në deklaratë.

Aty theksohet se ”askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë”.

Në deklaratën e Zyrës së Thaçit hidhet poshtë kategorikisht krijimi i një entiteti politik në territorin e Kosovës, si ai i Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

”Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Presidenti Thaçi i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që t’ia ndalojë kryeministrit Avdullah Hoti të negociojë me Serbinë për çështje të brendshme dhe për tema që rrezikojnë shtetësinë e Kosovës.

”Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror’, thuhet në deklaratë.

Kjo deklaratë erdhi një ditë para bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh. Në bisedimet që do të zhvillohen të enjten në Bruksel është paralajmëruar të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për pretendimet financiare dhe pronësore të palëve ndaj njëra-tjetrës.

Deklarata e plotë e Zyrës së Presidentit të Kosovës:

Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës.

Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë.

Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.

(r.m.)

 

One Response to “Thaçi: Kuvendi duhet t’ia ndalojë kryeministrit të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës”

Read below or add a comment...

  1. Viktori says:

    Mosshkuarja e delegacionit tone eshte jo serizee teper jo serioze nga Kosova.Mjerisht Thaqin e keshillojne njerez te papervoje ne politike. Te ikesh eshte qyqare,te qendroshe eshte e guximshme dhe ky proces qe echte nisur nga Administrata e Presidentit Trump do te perfundone me sukses.Dy popujt kane nevoje per nej pave stabile

Comment

*