Thaçi lavdëron prodhuesit kosovarë

Prishtinë, 13 shkurt 2018 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në panairin e prodhimeve vendore dhe në forumin ekonomik “10-vjetori i pavarësisë ekonomike të Kosovës”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Thaçi ka thënë se prodhuesit vendorë janë ballafaquar me sfida të panumërta, por asnjëherë nuk janë dorëzuar, kanë mbijetuar dhe janë zhvilluar.

“Sot, zhvillimi i Kosovës, sukseset e dekadës sonë të parë, lidhen ngushtë me ju”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Duhet të jemi krenarë me të arriturat e Kosovës dhe me të arriturat e deritashme të prodhuesve”, ka theksuar ai.

Thaçi ka shprehur bindjen se në tregun e vendit do të ketë sa më shumë prodhime vendore.

“I bëmë 10 vjet si shtet dhe është koha që shteti, tregu ynë, të mbushet me prodhime ‘Made in Kosova’”, ka theksuar  Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova sot ka krijuar një platformë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke u fokusuar në përmbushjen e nevojave dhe kërkesave të komunitetit të biznesit.

Kreu i vendit ka thënë se prej shpalljes së pavarësisë Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm në konsolidimin e shtetësisë.

“Kemi nënshkruar MSA-në me Bashkimin Evropian dhe jemi ftuar nga NATO-ja për bashkëpunim të avancuar. Këta dy hapa kanë qenë shumë të rëndësishëm për të ardhmen tonë dhe na kanë vënë fuqishëm në binarë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka thënë ai.

“Kosova, po ashtu, shënoi të arritura të mëdha në skenën ndërkombëtare në fushën e artit, kulturës e sportit”, ka shtuar Thaçi. (r.m.)

Comment

*