Thaçi mund të përballet me Gjykatën Kushtetuese për shkak të deklaratave të tij

Prishtinë, 9 gusht 2018 – Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të deklaratëve të tij për “korrigjimin” e kufijve me Serbinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, insiston se korrigjimi i kufirit me Serbinë është e vetmja mundësi për realizimin e kërkesës ligjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të bashkohen me Kosovën.

“Kjo nuk do të thotë ndarje e Kosovës, shkëmbim territori apo autonomi për serbët”, ka thënë Thaçi të mërkurën.

Ai ka thënë se me korrigjim të kufirit nënkuptohet bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Republikën e Kosovës.

Por, partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se do të kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me deklaratat “e pamatura” të Thaçit në lidhje me ndryshimin e kufijve.

“Deklaratat e tilla, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të mandatit kushtetues të presidentit dhe rrezikojnë rendin kushtetues”, thuhet në reagim.

Ekspertë të së Drejtës Kushtetuese thonë se çdo përfaqësues i institucioneve të Kosovës duhet të marrë parasysh kushtetutën e Kosovës kur jep deklarata që e prekin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, pasi ato janë të paprekshme.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese në Kosovë, Mazllum Baraliu, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e çdo akti që konsideron se është jokushtetuese apo e jashtëligjshme.

“Ata kanë të drejtë dhe natyrisht që në Kushtetutën e Kosovës thuhet se sovraniteti i vendit dhe integriteti territorial i saj është i paprekshëm, dhe askush nuk ka të drejtë rreth saj, me asnjë fuqi, me asnjë post politik. Ata kanë të drejtë për këtë gjë, dhe unë mendoj që, nuk po flas tani për presidentin tonë, por cilido president i vendeve të ndryshme, duhet të ketë shumë kujdes dhe të llogaris mirë dhe të mos jep deklarata që nuk përputhen me Kushtetutën e shtetit”, ka thënë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Baraliu ka treguar se në rast se konstatohet se Thaçi e ka shkelur Kushtetutën me deklarata të tilla, deputetët e Kuvendit kanë të drejtë të mbledhin nënshkrimet dhe ta kërkojnë dorëheqjen e tij.

“Në rast të shkeljes së ligjeve kushtetuese, parashihet që presidenti të shkarkohet. Nëse ata e marrin shumicën e votave, atëherë presidenti mund të përballet me një kërkesë të mundshme për shkarkim”, ka thënë Baraliu.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kufijtë e Kosovës janë krijuar në luftë dhe  vetëm me luftë mund të lëvizin”. (r.m.)

Comment

*