Thaçi: Në Berlin nuk do të ketë “agjendë të fshehtë” për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Prishtinë, 17 prill 2019 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “nuk ka asnjë agjendë të fshehtë” se gjatë samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin do të paraqitet ndonjë propozim për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka thënë se pret që në samitin e Berlinit të flitet në parim për “domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi e ka vënë theksin te procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Thaçit:

Si president jam në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin tonë. Ne e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi. Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila ndër të tjera do të rikonfirmojë së paku perspektiven evropiane të rajonit tonë, thellimin e reformave sidomos në sundimin e ligjit, si dhe do të theksojë domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Prandaj, të flasësh për perspektiven evropiane të Kosovës, qoftë edhe vetëm në mënyrë retorike, është më tepër se hipokrizi! HTH

(r.m.)

Comment

*