Thaçi në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang

Pyeongchang (Kore e Jugut), 9 shkurt 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pjesë në hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike Dimërore në Kore të Jugut.

Në një postim në Facebook, është shprehur i entuziasmuar me pjesëmarrjen e ekipit të Kosovës në këto lojëra. Ai ka theksuar se kjo është “dhurata më e mirë për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës” dhe e ka kujtuar suksesin e xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila ia solli Kosovës medaljen e parë të artë nga Lojërat Olimpike në Rio.

“Parakalim madhështor i ekipit olimpik me Flamurin e Kosovës në Pyeongchang të Koresë së Jugut, para miliona teleshikuesve nga mbarë bota. Kjo është hera e parë në historinë e shtetit tonë, që përfaqësohemi në Lojërat Olimpike Dimërore. Është dhurata më e mirë për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, bashkë me medaljen e artë të Majlinda Kelmendit, dy vjet më parë në Olimpiadën e Rios”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai ka postuar edhe një foto nga parakalimi i ekipit olimpik të Kosovës.

Thaçi është ftuar në hapje të Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang nga Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Ai ka udhëtuar për në Pyeongchang nga Uashingtoni, ku ka marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

Zyra e Presidentit njofton se Thaçi do ta vizitojë fshatin olimpik, ku është i vendosur ekipi olimpik i Kosovës, dhe do t’i shprehë mbështetje skiatorit Albin Tahiri, i cili e përfaqëson Kosovën në këtë olimpiadë.

Sipas njoftimit, Thaçi do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse në këtë olimpiadë. (r.m.)

Embedded

Comment

*