Thaçi në Sofje: Vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë bllok në BE

Sofje (Bullgari), 7 dhjetor 2017 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepet perspektivë e qartë evropiane dhe BE-ja të ketë qasje gjeostrategjike për rajonin.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE në bllok, që të sigurohet paqja dhe bashkëpunimi afatgjatë në rajon”, ka thënë  Thaçi në konferencën rajonale në Sofje të Bullgarisë

Në këtë konferencë, e cila është organizuar nga Qeveria e Bullgarisë dhe nga Banka Botërore, po marrin pjesë kryeministrat e Bullgarisë, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Në konferencë po merr pjesë edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Johannes Hahn.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët po marrin pjesë në këtë konferencë, kanë diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe për dinamizmin e procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Pjesë e diskutimeve të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian ishte edhe kompletimi i rrjetit të rrugëve dhe përmirësimi i infrastrukturës së kalimeve kufitare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot gjatë ditës do të zhvillojë një takim bilateral edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me të cilin do të bisedojë për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, njofton Zyra e Presidentit të Kosovës. (r.m.)

Comment

*