Thaçi paralajmëron marrëveshje të reja me Serbinë

Munih, 13 shkurt 2020 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar si shumë “efektiv” takimin e tij të sontëm me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Pas takimit, në një deklaratë për medie në Munih, Thaçi ka paralajmëruar se së sbhpejti mund të priten marrëveshje të reja midis Kosovës e Serbisë, si ajo për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, dhe do të vazhdojnë përpjekjet për marrëveshjen finale, siç është shprehur, “si dy vende të pavarura”.

“Ne do të lëvizim në marrëveshjet e reja pas arritjes së marrëveshjes për linjën fluturuese ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Tash do të kemi edhe angazhimet tjera për linjën hekurudhore në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar, në nivel rajonal. Do të punojmë maksimalisht si institucione të Republikës së Kosovës, gjithë spektri politik, shoqëria civile, mediet, gjithë njerëzit që të arrijmë në marrëveshje finale, që nënkupton si dy vende të pavarura dhe sovrane në mes Kosovës dhe Serbisë. Është fat që e kemi një njeri dinamik, i mbështetur plotësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po ndodhin gjëra që të tjerët vetëm kanë mundur të imagjinojnë në dy dekadat e kaluara se mund të realizohen mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra për të investuar në paqe, progres, zhvillim ekonomik, për një jetë më të mirë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi pas takimit me ambasadorin Grenell.

Ai ka thënë se Kosova, gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme, do të ndërmarrë “veprime të përgjegjshme që e lehtësojnë dialogun”.

“Kosova do të lëvizë drejt një perspektive të sigurt me hapa të sigurt që të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se shpreson që Bashkimi Evropian do të jetë në mbështetje të plotë të një procesi dinamik në kërkim të marrëveshjes finale mes Kosovës e Serbisë dhe ka theksuar se Kosova është e zhgënjyer dhe e tradhtuar nga Bashkimi Evropian për shkak të vonesës së vendimit për liberalizimin e vizave.

(r.m.)

Comment

*