Thaçi: Pjesëmarrja e SHBA-së në dialog është jetike për Kosovën

Prishtinë, 24 korrik 2020 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të ;premten se pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në dialogun me Serbinë vështirë që do ketë një marrëveshje për njohje të ndërsjellë midis dy vendeve.

“Jam i bindur se, pavarësisht diskutimeve që po zhvillohen në këtë apo atë qytet, aty ku nuk janë SHBA-të jam skeptik që mund të ndodh njohja reciproke apo e di saktësisht se nuk ndodh. Prandaj, për ne, si Kosovë, është jetike që në tavolinë dhe në proceset udhëheqëse të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht bashkërisht me Bashkimin Evropian”, tha ai.

Thaçi bëri thirrje që bisedimet me Serbinë të mos zbresin në nivel teknik, me që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë politike. Ai tha se është me interes të zhvillohen bisedime, duke pasur kujdes që ato të mos shndërrohen në bisedime për çështje teknike, por për njohje reciproke.

“Pra, të ndodhë njohja reciproke dhe në asnjë rrethanë të mos lejojmë që ky proces të zbret në nivel teknik sepse raporti Kosovë-Serbi është kryekëput politik dhe jo teknik. Në nivel teknik nënkupton status quo dhe respektim i agjendës së Serbisë. Në anën tjetër ne do shikojmë interesat e shtetit tonë, shoqërisë tonë, të sotmen dhe të ardhmen tonë, të një fqinjësie të mirë ndërshtetërore, pra duhet të ndodhë njohja reciproke, respektimi i plotë territorial i të dy vendeve dhe natyrisht pastaj zgjidhja e çështjeve që janë të diskutueshme si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, ku u diskutua për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, i cili ka rifilluar në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Hoti e siguroi Presidentin se dialogu me Serbinë nuk do të rrëshqasë në dialog teknik dhe përsëriti se qëllimi i procesit të dielogut është marrëveshja përfundimtare për njohje të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Ne do të sigurojmë, të gjithë së bashku, që në asnjë moment dialogu të mos rrëshqas në nivel teknik por ta mbajmë të fokusuar në objektivin tonë kryesor që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Po mundohemi që të bëjmë maksimumin që të koordinojmë të gjitha aktivitetet me partnerët tanë ndërkombëtare, sepse është tepër jetike që të jenë të përfshirë të gjithë”, tha Hoti.

Ai tha se ky proces, përveç nga Bashkimi Evropian, po ndiqet me vëmendje nga SHBA-të dhe këtë e cilësoi si moment shumë të mirë për Kosovën.

”Mendoj se është një moment shumë i mirë, sepse kemi vëmendje të BE-së, të vendeve të kyçe të BE-së, Gjermanisë dhe Francës në veçanti, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbes me shpresë që në muajt e ardhshëm do ta përmbyllim këtë proces”, tha kryeministri Hoti.

Ai tha se të gjitha palët plotësisht do t’i mbajë të informuara lidhur me procesin e dialogut.

“Do të jem plotësisht transparent, për të siguruar një gjithëpërfshirje, sepse ndoshta ky është procesi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë për të përmbyllur një marrëveshje finale me Serbinë që është sigurisht në interes të dy vendeve, por edhe në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, tha ai.

Kryeministri Hoti është kritikuar nga opozita, por edhe nga partnerët e koalicionit qeveritar, se nuk I ka informuar për procesin e bisedimeve dhe nuk i ka konsultuar fare lidhur me emërimin e koordinatorit shtetëror për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni.

Në paraqitjet publike të liderëve të dy partnerëve të koalicionit, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, është vënë re ftohje e marrëdhënieve ndërmjet partnerëve të koalicionit. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të qartë se Hoti nuk mund të ketë mbështetje pa kushte lidhur me dialogun me Serbinë.

(r.m.)

Comment

*