Thaçi relativizon kërkesën për shfuqizimin e Ligjit për Specialen

Prishtinë, 23 dhjetor 2017 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka relativizuar kërkesën e 43 deputetëve të partive në pushtet për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Thaçi nuk ka shprehur fare qëndrim lidhur me kërkesën, as nuk e ka përmendur fare atë, por ka theksuar se “është e rëndësishme që të gjithë të vazhdojnë të jenë të sigurt për të ardhmen e Kosovës dhe për proceset e saja demokratike”.

“Mes spekulimeve është e rëndësishme që të gjithë të vazhdojnë të jenë të sigurt për të ardhmen e Kosovës dhe për proceset e saja demokratike. Shoqëria dhe udhëheqësia e Kosovës mbeten plotësisht të angazhuara për demokraci, sundim të ligjit, pajtim, dialog dhe marrëdhënie në baza të barabarta dhe të drejta”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar mbrëmë të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve për rrëzimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Thirrja e seancës ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Përfaqësuesit e LDK-së, Vetëvendosjes dhe Listëa Serbe nuk morën pjesë në mbledhje. (r.m.)

Comment

*