Thaçi takohet me Mogherinin dhe me Vuçiqin

Sofje (Bullgari), 16 maj 2018 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot në Sofje të Bullgarisë me shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Kosovës, në një postim në Facebook, ka shkruar se takimi me homologun e tij serb është realizuar me kërkesë të zonjës Mogherini.

Sipas tij, ai dhe Vuçiqi janë pajtuar që sa më parë të fillojë faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“U pajtuam që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë”, ka shkruar Thaçi.

Ai e ka shfrytëzuar rastin t’u bëjë thirrje për mobilizimin e të gjithë faktorëve në Kosovë, duke theksuar se, siç është shprehur, “përfundimi i procesit do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB”.

Thaçi dhe Vuçiq ndodhen në Sofje, për të marrë pjesë në samitin e BE-së dhe vendeve të Ballkanit.

Postimi i plotë i Thaçit:

 

Sapo kam arritur në Sofje, ku takimin e parë e kam zhvilluar me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Me të kemi biseduar për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin historik të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe fqinjëve tanë.

Kemi folur për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur këtë vit të lirë në zonën Shengen.

Me zonjën Mogherini, po ashtu biseduam për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Me këtë rast, me iniciativën e zonjës Mogherini kam zhvilluar një takim të përbashkët me të dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

U pajtuam që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë.

Prandaj, është një momentum i ri që kërkon mobilizim të të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, sepse përfundimi i procesit do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB.

Ky takim është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për dialog dhe fqinjësi të mirë, vetëm një ditë para fillimit të Samitit në Sofje. HTH

(r.m.)

Image may contain: 1 person, standingImage may contain: 3 people, people sitting and indoor

Comment

*