Thaçi – i vendosur ta shtyjë përpara procesin e krijimit të ushtrisë

Prishtinë, 8 mars 2017 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu vendosmërinë e tij që të procedojë për miratim në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për transmetomimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Kështu, ai shpërfill të gjitha sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, përfshirë SHBA-të dhe NATO-n, që tranformimi të bëhet përmes ndryshimeve Kushtetuese dhe përmes ndryshimeve ligjore.

Thaçi, në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, e cila u transmetua direkt nga shumica e televizioneve të vendit, theksoi se institimi i tij për themelimin e ushtrisë së Kosovës bazohet në të drejtën kushtetuese dhe ligjore.

“Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, nuk po bën asnjë befasi. Asnjë veprim të njëanshëm apo të pa koordinuar, asnjë veprim anti-ligjor apo antikushtetues. Asnjë veprim që do të konsiderohej rrezik për paqen në Kosovë apo rajon. Kosova po ecën në një proces siç kanë ecur shtetet tjera të rajonit. E vërteta është kjo: Shteti i pavarur i Kosovës thjesht po bën një akt ligjor dhe kushtetues që është themel i funksionimit të çdo shteti demokratik në botë. Ne si institucione demokratike të shtetit të pavarur dhe sovran kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie profesionale, moderne, multietnike që ka për detyrë mbrojtjen e shtetit”, tha ai.

Thaçi shprehu bindjen se askush, përveç Serbisë, nuk do ta kontesojë formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Askush nuk mund ta kontestojë këtë, duke përfshirë edhe shtetet mike, NATO-n dhe anëtarët e saj. Këtë e ka kundërshtuar vetëm një shtet dhe ajo është Serbia. Aktualisht i vetmi kërcënim për paqen në rajon është rritja e ndikimi të Rusisë në rajon dhe numri i aeroplanëve dhe bazat ushtarake të saja në Serbi. Këtij kërcënimi duhet t’i shtojmë edhe kërcënime që vijnë elementë terroristë, ku Kosova vazhdon të jetë kampion në rajon për luftën e pakompromis kundër terrorizmit”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha gjithashtu se askush, përveç Serbisë, nuk ka arsye ta cilësojë si veprim të njëanshëm transformimin e FSK-së në ushtri.

“Pres nga NATO që të jetë e vetëdijshme për këto rreziqe konkrete dhe të mos shqetësohet për transformimin e FSK-së duke ditur se FSK është trajnuar pikërisht nga NATO dhe shtetet anëtare të NATO-s. E thash një gjë të tillë si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve të ngritura nga NATO, sekretarit të NATO-s dhe SHBA-së. Ai më tha se gjoja se NATO e konsideron iniciativën tonë si veprim të njëanshëm. Kjo nuk qëndron. Në asnjë rrethanë sepse për tri vite me radhë jemi munduar që të bindim edhe deputetët serbë që të votojnë për një gjë të tillë, por Serbia vazhdon të mbetet kundër”, theksoi ai.

Thaçi tha se sugjerimet që transformimi FSK-së në ushtri të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese janë joreale, pasi deputetët e Listës Serbe nuk do të votojnë çfarëdo ndryshimesh që mundësojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës. Ai bëri të ditur se paertnerët ndërkombëtarë nuk kanë arrit ur t’i bindin deputetët serbë që të votojnë për formimin e ushtrisë, për shkak se ata dirigjohen nga Beogradi dhe janë jolojalë ndaj institucioneve të Kosovës.

Thaçi theksoi gjithashtu se transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës do të shërbente për ruajtjen e paqes në rajon dhe në botë dhe shtoi se kjo forcë do ta japë kontributin e saj sa herë që do t’i kërkohet.

Presidenti i Kosovës e falënderoi Kryesinë e Kuvendit për procedimin e iniciativës dhe shprehu besimin se edhe kryeministri Isa Mustafa do ta mbështesë projekt-ligjin dhe do ta trajtojë atë në afatin e caktuar ligjor.

Ai i bëri thirrje gjithë spektrit politik, si edhe shoqërisë civile, që të bashkohen dhe ta mbështesin formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Në këtë periudhë i gjithë spektri politik në Kosovë, përfshirë edhe shoqërinë civile e qytetarët duhet të jemi plotësisht të bashkuar për të përmbyllur këtë proces, që tërësisht varet nga institucionet shtetërore tonat. Projektligji për Ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe ka forcuar besimin e qytetarëve në institucionet tona për të forcuar dhe konsoliduar republikën tonë. Të gjithë aktorët të përfshirë në këtë proces duhet të përkushtohen plotësisht për të përmbyllur në mënyrën e duhur”, theksoi ai.

Thaçi iu drejtua qytetarëve të Kosovës pak pas përfundimit të takimit me ambasadorë të vendeve të QUINT-it (SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë) dhe përfaqësuese speciale të bashkimit Evropian në Kosovë. (r.m.)

Comment

*