Thënie të urta të përpiluara nga Sadik Elshani

Sadik Elshani

  • Mirë është që të jesh i gjithanshëm, por duhet të përqëndrohesh në një lëmi ku shkëlqen dhe dallohesh nga të tjerët.
  • Idealistët, ideologët e filozofët zakonisht nuk janë treguar si shtetarë, shtetndertues të mirë, të aftë – respekt për përjashtimet.
  • Shkenca t’i hapë sytë, ta hapë mendjen, ndërsa ideologjia t’i mjegullon ato.
  • Miqtë t’i dëgjojmë e nderojmë, por edhe nga armiqtë të mësojmë.
  • Ec me kohën se përndryshe të shkelë rrota e historisë.
  • Besueshmëria e çiltërsia (sinqeriteti) janë rrënjet e çdo miqësie të vërtetë, të qëndrueshme.
  • Të gjithë ëndërrojnë, por vetëm guximtarët dhe të përkushtuarit i përmbushin (realizojnë) ëndrrat e tyre.
  • Atdheu na jep nder vetëm atëherë kur ne e nderojmë atë.
  • Ndihu krenar kur të nderon kombi, atdheu yt, por ndihu edhe më krenar kur ti e nderon kombin, atdheun tënd.
  • Ndërrimi i sundimtarëve të huaj me ata vendës nuk quhet liri.
  • Fjalët e demagogut shiten lirë, por më vonë ato kushtojnë shumë shtrenjtë.
  • Përfituesit e luftës dhe ata që kanë luftuar me përkushtim e pa interes për lirinë e vendit, nuk mund të futen në një thes.
  • I paafti për dështimet e tij i fajëson të tjerët, ndërsa ai që është i zoti problemet i zgjidh vetë dhe e vazhdon punën.
  • Para luftës, gjatë luftës e pas luftës heroi i vërtetë sillet dhe vepron vetëm si hero.
  • Nga fara e keqe delë bima e keqe, e bima e keqe nuk jep fryte të mira, të shijshme.
  • Ata që dëgjojnë vetëm atë që dëshirojnë të dëgjojnë dhe shohin vetëm atë që dëshirojnë të shohin, kurrë nuk mund të nxjerrin gjykime të drejta, të shëndosha.
  • Demokracia është: pragmatizmi mbi ideologjinë. Vendet në të cilat ideologjia mbizotëron mbi pragmatizmin, herët a vonë do të dështojnë.
  • Nëse liria fitohet me gjak, vendi, shteti ndërtohet me djersë.

 

Philadelphia, 21 shkurt, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

 

Comment

*