Theresa May konfirmon mbështetjen e Britanisë së Madhe për Maqedoninë

Shkup, 17 maj 2018 – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka qëndruar të enjten në Maqedoni, në një vizitë të paparalajmëruar më parë ku është takuar me kryeministrin Zoran Zaev, si dhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili edhe ka organizuar një pritje të veçantë me rastin e vizitës së saj në Shkup.

Në takimin ndërmjet kryeministrave Zaev dhe May, është diskutuar për raportet ndërmjet dy vendeve, por edhe për zhvillimet në rajon, me theks të veçantë, integrimin euroatlantik dhe aspektet e sigurisë.

Pas takimit me kryeministrin Zaev, kryeministrja britanike, Theresa May, tha se është krenare që i është ofruar mundësia që të jetë kryeministrja e parë që viziton Maqedoninë, 25 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Ajo foli edhe për sfidat, me të cilat përballet rajoni, përfshirë edhe ndikimin rus duke shprehur besimin se vendet e Ballkanit Perëndimor do ta vazhdojnë përkushtimin për sigurimin e paqes stabilitetit dhe prosperitetit në këtë pjesë të Evropës.

“E di se konfliktet nga e kaluara vështirë mund të kapërcehen, shumë çështje të vështira mbetën pa u zgjidhur, si konfliktet e brendshme, krimi i organizuar, migrimi ilegal, e çështje tjera. Duhet të përballemi me sfidat nga e kaluara dhe të jemi ambiciozë në sigurimin e të ardhmes paqësore dhe prosperuese”, ka deklaruar kryeministrja, May.

Ajo ka shtuar se pikërisht për shkak të kësaj, në samitin e Sofjes, por edhe në samitin Londrës që do të mbahet në korrik, temë kryesore do të jetë siguria në rajon dhe ndikim rus ndaj tij.

Ajo ka theksuar se me vullnet të mirë politik mund të arrihet përparim i madh dhe se kjo, sipas saj, është dëshmuar edhe në rastin e Maqedonisë, të cilën e inkurajoi edhe për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë dhe integrimin në strukturat evropiane pasi Maqedonia, siç është shprehur May, është pjesë e pandarë e Evropës.

“Mund të shihni se çfarë ka ndodhur në Maqedoni vetëm disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare, kanë ndodhur ndryshime të mëdha dhe Qeveria ua ka shtrirë dorën fqinjëve të saj duke u angazhuar edhe për zgjidhjen e çështjes së emrit. Zgjidhja do të ofrojë përfitime të pastra për dy shtetet dhe në këtë kuadër mund të llogarisni në mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar”, ka deklaruar kryeministrja britanike.

Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev i ka shprehur mirënjohje kryeministres Theresa May, për mbështetjen që vendi i saj i jep rajonit, ndërsa ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për realizimin e kritereve.

“Me praninë tuaj ju konfirmoni mbështetjen dhe përkushtimin e Britanisë së Madhe ndaj rajonit. Dua të theksoj se Maqedoninë, nga një shtet i robëruar, e kemi shndërruar në demokraci institucionale. Këtë e kemi dëshmuar em realizimin e planit qeveritar 3-6-9, ndërsa do ta realizojmë edhe planin 18, që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Na mundësoni të ardhmen evropiane, e meritojmë”, ka deklaruar Zaev.

Kryeministrja britanike, Theresa May në Shkup arriti nga Sofja, ku ishte është pjesëmarrëse në samitin e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në agjendën e vizitës së saj në Shkup ishin edhe takimet me aktivistë të komunitetit LGBT, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë.

(Isuf Kadriu, REL)

Comment

*