Thesari amerikan, FMN dhe BB premtojnë mbështetje për Kosovën

Prishtinë, 21 prill 2018 – Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, gjatë takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) që po mbahen në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime me përfaqësues dhe zyrtarë të lartë të Thesarit Amerikan, FMN-së dhe BB-së dhe me homologë të tij nga vende të ndryshme.

Mes tjerësh, guvernatori Mehmeti është takuar me drejtorin e Asocuar për shërbime financiare në Thesarin Amerikan, Paul Leonovich, dhe ekipin e tij. Me këtë rast, ai ka informuar z. Lenovich lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar të Republikës së Kosovës dhe lidhur me treguesit e shëndetit financiar, njoton BQK.

Gjithashtu, Mehmeti e ka vlerësuar mbështjen që ka dhënë SHBA-ja në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, në veçanti kontributin e Thesarit Amerikan për zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së.

Në takim është diskutuar edhe për përpjekjet e BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe për hapat që duhen ndërmerren për rritjen e rolit të sistemit financiar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

  1. Leonovich e ka falënderuar guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin shumëvjeçar të Kosovës me Thesarin Amerikan dhe ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

Guvernatori i Kosovës është takuar edhe me zëvendësdrejtorin e FMN-së, Tao Zhang, të cilin gjithashtu e ka informuar mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar dhe e ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.

Mehmeti ka zhvilluar takime edhe me drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë, Paul Thomsen, drejtoreshën Ekzekutive në Konstituencën tonë në FMN, Michaela Erbenova, me Misionin e FMN-së për Kosovë dhe me përfaqësuesit e MCM-së (Monetary Capital Market), të kryesuar nga Paul Mathieu.

Ai ka zhvilluar takime edhe me z. Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, me z. Franc Godts, drejtor Ekzekutiv në konstiuencën tonë në Bankë Botërore, etj.

Guvernatori i Kosovës ka marrë pjesë edhe në takimet e konstituencave të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është Republika e Kosovës.

Sipas njoftimit të BQK-së, në të gjitha këto takime është vlerësuar lart puna e BQK-së në sigurimin e një sistemi financiar stabil dhe në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit. Po ashtu, është shprehur gatishmëria e FMN-së për të vazhduar mbështetjen për zhvillimin e mëtejmë të BQK-së. (r.m.)

Comment

*