Thesari amerikan premton vazhdimin e mbështetjes për Kosovën

Uashington, 11 tetor 2017 – Në kuadër të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) që po mbahen në Uashington D.C, ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza, është takuar me ndihmës-sekretarin e Thesarit Amerikan, Larry McDonalds.

Ministria e Financave e Kosovës njofton se në takim është diskutuar për prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe për hapat që duhet t’i ndërmarrë ajo për përshpejtimin e rritjes ekonomike.

Sipas njoftimit, në fokus të takimit ka qenë edhe adresimi në kohë optimale të projekteve prioritare të Qeverisë së Kosovës.

Ndihmës-sekretari i Thesarit Amerikan, Larry McDonalds, e ka falenderuar ministrin Bedri Hamza për bashkëpunimin shumëvjeçar të Kosovës me Thesarin amerikan dhe ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

Ndërkaq, ministri Hamza e ka falënderuar z. McDonalds për kontributin që ka dhënë shteti i Amerikës për ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe ka shprehur mirënjohje për ndihmën e madhe që ka dhënë Thesari i Amerikës për ndërtimin e Ministrisë së Financave.

Të dy palët janë pajtuar se mbështetja e Thesarit Amerikan është shumë e nevojshme për Ministrinë e Financave, sidomos për departamentet e Buxhetit dhe Thesarit. (r.m.)

Comment

*