Thirrje antishqiptare gjatë varrimit të Kaçifas, në Bularat

Tiranë, 8 nëntor 2018 – Varrimi i 35-vjeçarit, Kostandinos Kaçifas, që u vra me 28 tetor  pasi sulmoi me armë forcat speciale RENEA në Bularat u shndërrua në një manifestim ekstremistësh grek dhe thirrjesh antishqiptare.

Ceremonia u shoqërua me provokime të hapura, me thirrje dhe simbole: “Gjaku na thërret, të djegim shqiptarin”.

“Qentë shqiptarë”, apo “Bularati është Greqi”, ishin disa nga thirrjet, madje gazetarët shqiptarë që po raportonin ceremoninë janë fyer.

Ekstremistët shpalosën një flamur të madh grek mbi të cilin ishte shkruar se “Vorio Epiri është Greqi dhe Maqedonia është Greqi”.

Pjesëmarrësit kishin në duar flamuj grekë dhe banderola me fotografinë e 35-vjeçarit Kaçifas që u varros i veshur me rroba ushtarake.

Thirrjet “Kaçifas jeton, ti na drejton” shoqëruan të gjithë ceremoninë.

Në krye të kortezhit ishte ekstremisti i njohur Karathanos dhe eurodeputetja qipriote Eleni Theocharous, e njohur po ashtu për qëndrimet anti-shqiptare.

I pranishëm ishte edhe deputeti i Demokracisë së Re në Greqi, Savas Anastadhiasi.

Ekstremistët erdhën në Bularat herët në mëngjes nga Kakavija, ku policia me shërbim të përforcuar i kontrolloi imtësisht.

Mbi 25 ekstremistë të Agimit të Artë tentuan të futen me autobus në pikën doganore të Kakavijës, por u ndaluan prej policisë.

Tre ekstremistë u shoqëruan dhe u proceduan për nxitje të urrejtjes mes kombeve dhe feve.

Ata kishin me vete bluza me mbishkrime që ngjallnin urrejtje, kapuçë dhe sende të tjera të ndaluara.

Politikanët Spiro Ksera, Vangjel Tavo dhe Vangjel Dule ishin në ceremoni.

Kreu i PBDNJ-së bëri thirrje që të zbardhet sa më parë e vërteta për vrasjen e Kaçifas.

Pelegrinët e varrimit të ekstremisti nuk respektuan as thirrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë që u kishte kërkuar të vetëpërmbahen.

Kostandinos Kaçifas u vra nga RENEA ditën kur në Bularat do të kujtohej dita e Josë, ngjarje që përkon me luftën italo-greke.

Përreth 30 minuta, Kostandinos Kaçifas, qëlloi me armë ndaj forcave të rendit, ndërsa në një operacion që zgjati mbi 5 orë ai nuk pranoi të dorëzohej.

Ngjarja shkaktoi përplasje midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe po përdoret tani nga qarqet ekstremiste greke, pavarësisht përpjekjeve të qeverive të Athinës dhe Tiranës për të zbutur tensionet.

(Ora News.tv)

Comment

*