Thirrje nga Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptare-Amerikane “BIJTE E SHQIPES”

5043 Torresdale Ave.-PHILADELPHIA  PA. 19124
Tel: 215-744-4625 www.bijteeshqipes.org ose www.bijteeshqipes.us
_____________________________________________________________________________________________

 

                                         THIRRJE

Të nderuar bashkatdhetarë kudo ku jeni, në Amerikë e jashtë saj!
Falë kontributit financiar të familjës RISILIA, prej $ 64.000 dollarësh, para 10 vitesh u bë e mundur blerja e një ndërtesë që shërbeu dhe shërben akoma si qendër social-kulturore. Kjo falë edhe punës vullnetare të shumë bashkatdhetareve që e përshtatën këtë ndërtesë në shërbim të këtij qëllimi.

Që nga viti 2004, shoqata “Bijtë e Shqipes”, ka krijuar mundësinë për komunitetin, që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe, duke hapur Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”. Këtë shkollë çdo vit e ndjekin mesatarisht 55-60 nxënës, që janë të organizuar në pesë klasa, nga kl. I-rë deri në të V-tën.

Por që nga ajo kohë, komuniteti ynë është rritur katër deri pesë herë në numër. Nxënësit në shkollën shqipe janë shtuar, ndërsa veprimtaritë me karakter historik e atdhetar, ato për raste gëzimesh por edhe fatkeqësish të bashkatdhetarëve tanë, janë bërë më të shpeshta.

Në këto kushte, kjo ndërtesë, që mori emrin kuptimplotë “Shtëpia e Shqiptarit”, tashmë është e vogël, veçanërisht për nevojat e shkollës. Kjo pasi, synimi ynë është që në vitet në vazhdim numri i fëmijëve që do të ndjekin shkollën shqipe, të shkojë deri në 200 në vit.

Prandaj jemi në kërkim dhe së fundi jemi përqëndruar te godina në adresën: 3322 Willits Rd.-PA 19136, që mendojmë se i plotëson më mirë këto kërkesa, megjithëse kërkon investim jo të pakët për ta sjellë në gjendjen e duhur. Çmimi i saj i shitjes sot është $ 200.000. Duke patur edhe përvojën e komuniteteve të tjera, por edhe përvojën tonë në blerjen e godinës që kemi sot, shohim se rruga për ta realizuar këtë është ndihmesa e përbashkët që familjet dhe bizneset e komunitetit shqiptar mund të japin sipas mundësive të tyre.

Për këtë qëllim, është hapur një numër llogarie online në facebook-un e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, që kontrollohet nga sektori i financës i shoqatës, dhe transparenca e çdo shume do të bëhet çdo të dielë në facebook-un dhe Web-in e shoqatës. Ne shpresojmë shumë në mirëkuptimin e kësaj thirrje për të patur një qendër dinjitoze të komunitetit, dhe jemi të bindur se përkrahësit e saj do të jenë të shumtë. Ndihma financiare për blerjen e kësaj ndërtese, do të shërbejë në fuqizimin e bashkimit midis shqiptarëve, Ndërtesa e ardhëshme do të jetë vërtet një shtëpi e denjë për shqiptarët. Sot, është radha e të gjithëve për të dhënë ndihmesë e vet.


KËSHILLI DREJTUES I SHOQATËS “BIJTË E SHQIPES”

Filadelfia, 7 Janar 2018

 

Comment

*