Thirrje për rinumërim të votave në Iowa

 

Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokrat Tom Perez bëri thirrje të enjten për një rivlerësim të zgjedhjeve paraprake në degën e shtetit Iowa pasi një sërë problemesh vonuan rezultatet e konkurimit të parë brenda partisë për emërimin e kandidatit presidencial për vitin 2020 dhe krijuan pasiguri për saktësinë e tyre.

“Mjaft është mjaft. Në dritën e problemeve që kanë dalë në zbatim të planit të përzgjedhjes së delegatëve dhe në mënyrë që të siguroj besimin e publikut tek rezultatet, unë jam duke i bërë thirrje Partisë Demokrate të Iowa-s që të rifillojë menjëherë numërimin e votave”, tha zoti Perez në një postim në Twitter.

Asnjë fitues nuk është shpallur katër ditë pasi votimet paraprake u zhvilluan në 1.600 degë në të gjithë shtetin Iowa mbrëmjen e të hënës.

Me numërimin e 97% të të gjitha distrikteve, Senatori Bernie Sanders ka marrë 26.1% të votave të delegatëve të shtetit dhe Pete Buttigieg, ish-kryebashkiaku 38-vjeçar i qytetit South Bend, Indiana, kishte marrë 26.2%, sipas Partisë Demokratike të Iowa-s.

Nuk është e qartë se kur do të shpallet pjesa tjetër e rezultateve dhe procesi i trazuar ka vështirësuar përpjekjet e demokratëve për të gjetur një sfidant që do të përballet me Presidentin republikan Donald Trump në nëntor.

Vonesa fillimisht i atribuohej një problemi teknik me një aplikacion të ri celular, por janë shfaqur edhe shqetësime të tjera.

Partia Demokratike e shtetit Iowa mori një vëllim “jashtëzakonisht të lartë të thirrjeve hyrëse” në linjën e saj telefonike, të hënën në mbrëmje nga “telefonues që e mbyllnin telefonin menjëherë pasi ishte bërë lidhja, përkrahës të Presidentit Trump që merrnin për të shprehur pakënaqësinë ndaj Partisë Demokrate dhe banorë të shtetit Iowa që kërkonin të konfirmonin detajet”, njoftoi një zyrtar i partisë të enjten.

Stafi i partisë punoi për të pikasur dhe bllokuar telefonuesit e përsëritur që dukej se po përpiqeshin të bllokonin linjat dhe të ndërhynin në raportimin e rezultateve të votimeve paraprake. Gjithashtu, vëllimi i telefonatave ishte “shumë i parregullt” në krahasim me votimet paraprake të mëparshme. (VOA)

Comment

*