Thuajse 10 mijë e 200 objekte u shembën ose dëmtuan rëndë apo lehtë nga tërmeti

Kryeministri Edi Rama nga Londra ku ndodhet në samitin e NATO-s tregoi me lidhje të drejtpërdrejtë nga profili i tij në fejsbuk tregoi qëllimi për të zhvilluar një konferencë të madhe donatorësh

Denion Ndrenika

Shifrat e fundit zyrtare në Shqipëri tregojnë se thuajse 10 mijë e 200 objekte banesorë pallate dhe shtëpi, biznesi, kabina elektrike, institucione shkollorë dhe shtetërorë janë dëmtuar rëndë ose lehtë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Shtëpi të shembura janë 1183 gjithsej në Durrës, Tiranë dhe Dibër.

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda tha se nga tërmeti janë dëmtuar rëndë 5514 shtëpi në Durrës, Tiranë, Thumanë të Fushë-Krujës, Lezhë, Kukës, Dibër, Elbasan, Krujë, Shijak, Kurbin, Kamëz dhe Vorë.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama nga Londra ku ndodhet në samitin e NATO-s tregoi me lidhje të drejtpërdrejtë nga profili i tij në fejsbuk se çfarë ka kërkuar:

“Qëllimi është për të zhvilluar një konferencë të madhe donatorësh. Reagimet e para janë pozitive. Ju kemi dhënë dokumente dhe shumë informacione që të kenë një pamje shumë të qartë; të mund të plotësojmë të gjithë ata që janë në zonat urbane me çadrat e dimrit; të përfshi drejtpërdrejtë liderët edhe emocionalisht ata që janë shumë të rëndësishëm në këtë proces, sepse një fjalë e tyre është shumë më shumë se sa një dosje e tërë e përgatitur në nivelet më të ulëta”.

Autoritetet ndërkaq vazhdojnë shembjen e kontrolluar të pallateve dhe objekteve të rrezikshëm.

Tërmeti 6,4 shkallë i Rihterit, më i forti që nga prilli 1979, shkaktoi 51 viktima dhe mbi 950 të plagosur në 26 nëntor.

Instituti i Gjeoshkencës ka regjistuar të paktën 1400 pasgoditje tërmeti.

Comment

*