Ti do të fitosh, kombi im!

Namik Selmani

Meditim për Tërmetin e 26 Nëntorit

 

Nga Namik Selmani, Boston

Ti do të fitosh kombi im dhe pse sot vë lule varri
Do të gëzosh më shumë në tringëllimat e zileve
Si valë Adriatiku do riçelin ëndrrat ngjyrëzjarri
E në dasma do të rimbijnë lulet e urimeve

  

Ti mund ta arrish rrugën e mbushur me thiknaja e ferra
Mund të prekësh ëndrrën që të dukej përrallë.
Mund të jesh lundërtar diku në det pa vela
Mund të hysh në tunele që askush s’i ka parë.

  
Ti mund të këndosh këngë pa zë të ngjirur
Të ngrihesh mbi urrejtjen pa patur pranë një pajtimtar.
Të shtrëngosh patericat me zemrën e buzën e dridhur.
Po të mos rënkosh kur mes gjurit gjaku ka dalë.

  
Mund të jesh regjisor dhe aktor në Skenën e Jetës.
Ku në vend të prozhektorëve të vënë qirinj të ndezur.
Fytyrën mund të ta fshehin gërmadhat mes vdekjes.
Edhe pse pentagramet si murgjër do të heshtin.

  
Ngrihu mbi shkretëtirën ziliqare që të jep paraja!
Pa patur nevojë që të bëhesh një memec modern.
Ke një oaz gjelbëror te gjoksi, te hapi, te fjala.
Ke një far të saktë për detin që trupit buçet.

  
Ti nuk je kreshnik ardhur nga eposi, mes bjeshkës i fshehur
Mund të mos jesh Gjergji që Bajlozin e pret në betejë.
Ti mund të fitosh me një lot të nxehtë gëzimi të derdhur.
Që i vë fitores së pritur kurorën e vërtetë.

  
Mund të mos jesh Hamlet shekspirian nën shandanë.
Mund të mos jesh Don Kishot i krisur para mullinjve.
Ti mundesh, ti mundesh t’ia dalësh përherë mbanë
Në sinorë zemre si lavërtar të mbjellësh farë krenarie.

  
Mund të të vënë gurë fort të rëndë të Sizifit mesh shpine.
Ku djersa e gjaku si përrenjtë janë bashkuar.
Ti mundesh të prekësh stërkala kristalore mirësie
Në Malin e Dallgës ke shpresën si degë të gjethuar.

  
Ti mundesh kombi im në kohën me trazime
Të fitosh betejën e kohës me gjëmime!

 
2 dhjetor 2019

One Response to “Ti do të fitosh, kombi im!”

Read below or add a comment...

  1. Sadik Elshani says:

    Kombi im, ti do te fitosh
    Kur nga skena politike horrat do t’i largosh.

Comment

*