Times of Israel: Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem, nëse Izraeli e njeh Kosovën

Tel Aviv, 9 shtator 2020 – “Serbia nuk do të përmbushë premtimin e saj për të zhvendosur ambasadën në Jerusalem nëse Izraeli njeh armikun e saj Kosovën, paralajmëroi të mërkurën një burim i afërt me qeverinë në Beograd, duke shtuar se njohja zyrtare e shpalljes së pavarësisë së Prishtinës në vitin 2008 nga Izraeli ‘do të shkatërronte’ marrëdhëniet e shtetit hebre me Serbinë”, shkruan gazeta izraelite “The Times of Israel”.

“Kjo mund të përfundojë në një rrëmujë të vërtetë, nëse nuk ka  kompromis mbi atë marrëdhënie që Izraeli do të ketë me Kosovën”, tha ky burim për Times of Israel, duke folur në kushte anonimiteti.

“Marrëdhëniet diplomatike me Kosovën janë diçka tjetër, njohja si vend i pavarur është një gjë krejtësisht tjetër. Kjo do të shkatërronte marrëdhëniet Izrael-Serbi”, tha burimi serb.

Të premten, zyra e kryeministrit izrelit Benjamin Netanyahu lëshoi një deklaratë ku tha se Kosova dhe Izraeli “janë të gatshëm të vendosin marrëdhënie të plota diplomatike midis dy vendeve”.

Në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën, të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Serbia  u zotua se ambasadën e saj do ta zhvendosë nga Tel Aviv në Jerusalem deri më 1 korrik të vitit 2021.

Ndërkaq, Kosova u zotua ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem.

Izraeli e njohu pavarësinë e Kosovës vetëm pak minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, në praninë e Presidentit Donald Trump.

(r.m.)

Comment

*